Sot, Europa League foli shqip! Kualifikohen tre klubet shqiptare - FSHF

Sot, Europa League foli shqip! Kualifikohen tre klubet shqiptare

Sot, Europa League foli shqip! Në të gjithë kuptimin e plotë të fjalës, pasi tre skuadrat shqiptare të impenjuara në turin kualifikues të Europa League arritën të siguronin kalimin për në raundin tjetër.

Fillimisht ishte Teuta, që pasi mposhti me rezultatin e pastër 2-0 Beitar Jerusalemin në stadiumin “Niko Dovana”, siguroi kualifikimin për në turin tjetër të kompeticionit ndërkombëtar. Skuadra durrsake kaloi shumë shpejt në avantazh me golin e Krasniqit që në minutën e 6-të. Në shifrat 1-0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa që ekipi shqiptar luan mirë dhe në minutën e 86-të është Hebaj, i cili shënon dhe vulosi fitoren 2-0 të Teutës dhe kualifikimin e saj në raundin tjetër të Europa League.

Më pas e kishte radhën KF Laçi, që vuajti më shumë teksa u kualifikua pas penalltive në transfertën e Azerbajxhanit përballë Keslas. 90 minutat e kohës së rregullt dhe shtesat u mbyllën me rrjeta të paprekura. Ishte Nwabueze i cili nisi serinë e penalltive, për të vazhduar me Lushkjen, Rapon, Mazrekajn dhe Ignjatovic, të gjithë të saktë nga pika e bardhë. Heroi i Laçit ishte portieri Sherri, i cili priti penalltinë e ekzekutuar nga Qyrtymov i Keslas, duke sigluar kualifikimin në turin e dytë të Europa League.

Në takimin e fundit të mbrëmjes, Kukësi mundi 2-1 Slavia Sofian në stadiumin “Air Albania”, duke kaluar në turin e dytë të Europa League. Sulmuesi Eze kaloi ekipin shqiptar në avantazh teksa u tregua i saktë nga penalltia në minutën e 55-të, por Slavia barazoi shifrat në minutën e 81-të me anë të Krastev. Pesë minuta nga fundi ishte sulmuesi Cooper, i cili shënon një gol mjaft të bukur, që vlejti edhe kualifikimin. Aktualisht, së bashku me KF Tiranën janë katër skuadra shqiptare që vazhdojë rrugëtimin e tyre në Europa League.

Për specialistin e futbollit dhe ish-trajnerin e njohur, Sulejman Mema, ky është një sukses i futbollit shqiptar, që do të ketë efekte pozitive për rritjen e konkurrencës edhe në kampionat.
“Sigurisht, të gjithë duhet të ndihen mirë me këtë arritje të skuadrave shqiptare. Kjo vlen edhe për rritjen e rivalitetit në kampionatin shqiptar, sepse kur skuadrat përfitojnë nga ana sportive dhe nga ana ekonomike, rrjedhimisht rritet dhe cilësia. Merkato do të sjellë prurje cilësore dhe investimet te moshat do të jenë edhe më të mëdha, sepse aty është e ardhmja”, – tha Mema, ndërsa evidentoi shkollën e trajnerëve të FSHF-së, që ka gjithashtu pjesën e vet të rëndësishme në këtë triumf.
“Njëkohësisht dua të theksoj se ky është edhe suksesi i shkollës së trajnerëve shqiptarë. Trajnerët e të katër skuadrave që janë kualifikuar për në turin tjetër të Europa League janë të dalë nga shkolla e trajnerëve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo konfirmon faktin e trajnerët shqiptarë kanë arritur maturinë e duhur për të drejtuar skuadra, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit”, – tha ish-trajneri i njohur.
Në fund, specialisti i ekipeve kombëtare theksoi se “elementët e rinj kanë bërë diferencën, lojtarë të dalë nga ekipet e moshave e që po konfirmohen në nivele të larta. Janë elementë që janë edhe pjesë e ekipeve kombëtare aktualisht”.