Shqipëria U-20 mbyll grumbullimin dhe fiton miqësoren (VIDEO) - FSHF

Shqipëria U-20 mbyll grumbullimin dhe fiton miqësoren (VIDEO)

Shqipëria U-20 e drejtuar nga Ilir Biturku ka përfunduar ditën e sotme grumbullimin tre ditor, duke luajtur një ndeshje miqësore me ekipin e Kategorisë së dytë, Partizani B.

Në këtë grumbullim të parë të kësaj skuadre kombëtare, trajneri Biturku pati mundësi të ndjekë nga afër 18 lojtarët e grumbulluar nga kampionati shqiptar, duke parë gjëndjen e tyre fizike, teknike dhe taktike gjatë seancave stërvitore të kryera në Kompleksin Tropikal si edhe i ka testuar në ndeshjen e sotme me Partizanin B që është mbyllur me fitoren e Shqipërisë U-20 me rezultatin 3-0. Ndeshja është luajtur sot në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz dhe golat janë shënuar nga Oshafi dhe Cara në pjesën e parë, respektivisht në minutat 9-të dhe 23-të, për tu vulosur nga Cara në minutën e 54-të me rezultatin që nuk ka ndryshuar deri në fund.

Në lidhje me këtë grumbullim dhe strategjinë e Kombëtares U-20, ka folur trajneri Ilir Biturku: “Së pari duhet theksoj se kjo është një skuadër që rrjedh nga U-19, kemi grumbulluar lojtarët më të mirë që kanë qenë kontigjent i mëparshëm, por në të njëjtën kohë kemi edhe lojtarë që janë seleksionuar gjatë ndeshjeve të Kupës së Republikës. Në total kemi një grup përreth 30 lojtarësh, mendoj se është një hallkë e plotësuar në një zinxhir që ishte shkëputur midis U-19 dhe U-21 dhe sot me këtë skuadër arrijmë ti mbajmë lojtarët në tonus, shikojmë gjëndjen e tyre fizike, tekniko-taktike, kështu që këto lojtarë janë të gatshëm si fizikisht ashtu dhe moralisht që pas një periudhe kohe gjashtë mujore ose një viti të kalojnë në ekipin U-21. Jam i kënaqur pas këtij grumbullimi tre ditor, mendoj se ka elementë edhe nga kampionati shqiptar, kemi lojtarë që luajnë në Kategorinë Superiore, në Kategorinë e Parë, ka lojtarë cilësorë. Sigurisht që një rezyme të Kombëtares U-20 do të bëjmë pas muajit mars kur lojtarët që vijnë nga jashtë të testohen dhe do të kuptojmë se kush do të jetë grupi i Kombëtares U-20 A. Në të njëjtën kohë do të jetë edhe ekipi U-20 B ku do të jenë lojtarët nga kampionati shqiptar të cilët njëherë në 15 ditë do të kenë ndeshje miqësore dhe grumbullime. Në prioritetin tonë janë lojtarët vendas, sepse shikojmë që kemi element cilësorë, por ajo që është risi është strukturimi i ri i ekipeve kombëtare. Drejtori Mustedanagiç ka krijuar një staf që vazhdimisht është i pranishëm në çdo seleksionim dhe në çdo ndeshje, kështu që duhet të pranoj se është një filtër i mirë specialistësh dhe mund të arrijmë të gjejmë futbollistë nga kampionati shqiptar. Unë jam i bindur që ka talente futbolli shqiptar”.