Shqipëria U-17 për femra/ Maxhalaku e Coka: Synojmë rezultate pozitive & ngjitjen në Ligën A - FSHF

Shqipëria U-17 për femra/ Maxhalaku e Coka: Synojmë rezultate pozitive & ngjitjen në Ligën A

Ekipi Kombëtar U-17 për femra ka nisur që prej ditës së premte grumbullimin dhe stërvitjet intensive në kuadër të ndeshjeve të vlefshme për raundin e dytë të Kampionatit Europian 2021/2022, ku vajzat kuqezi janë shortuar në grupin B3 së bashku me Azerbajxhanin, Maqedoninë e Veriut e Skocinë.

Të gjashta sfidat e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri, me FSHF-në që është sërish organizatore e këtij turneu. Në prag të këtyre ndeshjeve, fshf.org ka ndjekur nga afër seancat stërvitore të skuadrës së drejtuar nga Agustin Kola dhe ka zhvilluar edhe dy intervista, me futbollistet e ekipit Kombëtar, Rexhina Maxhalaku dhe Jehona Coka, që nuk e fshehin kënaqësinë që janë sërish pjesë e grumbullimit kuqezi.

Maxhalaku tregon edhe synimet që ka skuadra e femrave U-17 për këto tre ndeshje, duke theksuar se objektivi kryesor është ngjitja në Ligën A, ndërsa flet edhe për ëndrrat e të ardhmes.

Ftesa nga Kombëtarja – Është kënaqësi e madhe, të jesh pjesë e Kombëtares, të përfaqësosh ngjyrat kuqezi. Ndihem shumë mirë që jam kapitene e këtij grupi fantastik.

Objektivat e skuadrës për këto tre ndeshje – Si gjithmonë, perspektiva jonë është për fitore. Azerbajxhanin e njohim, kemi marrë një barazim dhe shpresojmë që kësaj radhe të marrim një fitore, edhe ndaj Maqedonisë së Veriut kemi luajtur. Skocia është një kundërshtar i ri, por që synojmë fitore si gjithmonë. Objektivat tanë janë që të jemi në krye të Ligës B, që të ngjitemi në Ligën A.

Synimet në aspektin personal – Me Tiranën, ne tashmë jemi finalistë të Kupës së Shqipërisë kundra Vllaznisë dhe shpresoj të marrim një rezultat të mirë. Sa i përket Kombëtares, shpresoj që një ditë të arrij dhe unë Kombëtaren A.

Të njëjtat emocione për grumbullimin shpreh edhe Jehona Coka, që flet për kundërshtaret dhe rezultatet që skuadra kërkon në këto tre ndeshje. Në aspektin personal, Coka dëshiron të fitojë një trofe me Tiranën, ndërsa shpreson që së shpejti të jetë pjesë edhe e ekipit A për femra.

Rikthimi me Kombëtaren – Na kishte munguar grumbullimi, që prej shtatorit. Pa dyshim që jam e emocionuar dhe e lumtur që jam sërish pjesë e U-17 dhe është një mundësi shumë e mirë si për mua dhe të gjithë grupin që të tregojmë vlerat tona.

Kundërshtaret dhe synimi i Shqipërisë në këtë grup – Azerbajxhani dhe Maqedonia janë dy ekipe që ne i njohim, ndërsa Skocia është një ekip i ri për ne, që nuk jemi përballur më parë. Por pavarësisht nivelit të vështirësisë, ne pa dyshim synojmë rezultate pozitive dhe ngjitjen në Ligën A.

Ëndrrat për të ardhmen – Këtë vit përfaqësoj ngjyrat bardheblu me ekipin e Tiranës dhe jam më pranë ekipit kampion se kurrë. Synoj shumë që këtë vit trofeu të jetë i yni . Përveç kampionatit synoj të fitojmë edhe Kupën e Shqipërisë, që luhet më 14 maj dhe jemi përballë Vllaznisë. Sa i përket Kombëtares, synoj fillimisht të arrijmë rezultate pozitive me këtë grup që jemi, dhe si ëndrra e çdo futbollisti e futbollisteje synoj të përfaqësoj ekipin kombëtar