Shqipëri-Itali, katër Kupat e Botës në Shkodër të hapura për publikun! - FSHF

Shqipëri-Itali, katër Kupat e Botës në Shkodër të hapura për publikun!

Ambasada italiane në Tiranë në bashkëpunim me Federatën Italiane të Futbollit, dhe në vigjilje të ndeshjes zyrtare eleminatore të datës 9 tetor do të sjellin për herë të parë në Shkodër katër kupat e Botës të fituara nga Italia në të gjtiha pjesëmarrjet e saj në Botërorë. Një ekspozim i tillë për të 4 trofetë e Kupës së Botës do të realizohet me pjesëmarrjen e Federatës Shqiptare të Futbollit, në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Shkodrës. Ky event do të zhvillohet pikërisht në Shkodër pranë teatrit “Migjeni”, dhe kjo mini ekspozitë do të jetë e hapur për publikun nga ora 12.00 deri në orën 19.00 të datës 9 tetor 2017. Ekspozita do të inaugurohet në orën 11.00 të së hënës së 9 tetorit (ditën e ndeshjes) me një konferencë për shtyp në të cilën do të marrin pjesë Ambasadori Italian në Tiranë Alberto Cutillo, Presidenti i FSHF-së Armand Duka, Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit Carlo Tavecchio si dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Kjo iniciativë merr vlerë në vigjilje të ndeshjes eleminatore mes Shqipërisë dhe Italisë, duke qenë se është ndeshja e parë zyrtare eleminatore mes këtyre dy skuadrave në Shqipëri. Katër kupat e Botës të fituara nga Italia në historinë e saj botërore vijnë për sportdashësit shqiptarë edhe në fokusin e afirmimit të vlerave pozitive të sportit si dhe promovimin e miqësisë dhe raporteve sportive mes Shqipërisë dhe Italisë. Ekspozita do të jetë e hapur për të gjithë tifozët e kombëtareve, dhe hyrja do të jetë e lirë. Ndërkaq, pjesëmarrësit dhe vizitorët mund të ofrojnë vullnetarisht dhe sipas dëshirës në një kënd të veçantë edhe kontributin e tyre. Të ardhurat e mbledhura do të shkojnë për Shoqatën “Madonnina del Grappa”, shoqatë aktive në Shkodër që nga muaji shkurt i vitit 1992, në ndihmë të pesonave në nevojë.


Duke kontrolluar karten...