Shorti për “Final Four” hidhet të hënën në stadiumin “Air Albania” - FSHF

Shorti për “Final Four” hidhet të hënën në stadiumin “Air Albania”

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se shorti për “Final Four” në kampionatin “Abissnet Superiore” do të hidhet të hënën më datë 13 maj, në orën 12:00, në stadiumin “Air Albania” në sallën e konferencave për shtyp.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidentë e përfaqësues të klubeve të kualifikuar në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias.

Egnatia, Partizani dhe Vllaznia janë tre skuadrat që deri tani kanë siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”, ndërsa skuadra e katërt do të vendoset në javën e fundit të kampionatit të rregullt.

Të gjitha ndeshjet e “Final Four” do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, në periudhën 17-26 maj. Gjysmëfinalja e parë do të luhet më datë 17 maj, duke nisur nga ora 20:00, ndërsa gjysmëfinalja tjetër në po të njëjtën orë më 19 maj.

Finalja për vendin e tretë/katërt është programuar të luhet më 24 maj, ora 19:00, ndërsa finalja e madhe për titullin kampion më 26 maj, ora 19:00.

SI FUNKSIONON “FINAL 4”

Ekipet pjesëmarrëse

4 vendet e para të “Abissnet Superiore” në përfundim të kampionatit të rregullt.

Shorti

Ekipet ndahen në dy vazo, vazo 1 (vendi i parë dhe i dytë), vazo 2 (vendi i tretë dhe i katërt) dhe përmes shortit përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste.

Gjysmëfinalet

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë.

Finalet

Ekipet e kualifikuara nga gjysmefinalet luajnë për titullin kampion, ndërsa ekipet humbëse për vendin e tretë.

ÇFARË PËRFITOJNË KLUBET SPORTIVISHT

Vendi i parë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Champions League

Vendi i dytë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i tretë në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League

Vendi i katërt në FINAL 4: Pjesëmarrje në turin e parë kualifikues të Conference League nëse Kupa e Shqipërisë fitohet nga një prej tre ekipeve të para në Final 4