Sfidat e tetorit, Manaj: Vetëbesim për fitore, Bare: Japim 100% në fushë - FSHF

Sfidat e tetorit, Manaj: Vetëbesim për fitore, Bare: Japim 100% në fushë

Dy futbollistët e ekipit Kombëtar shqiptar, Rei Manaj dhe Keidi Bare kanë dalë sot në një konferencë për mediat ku kanë folur për dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë.

Sulmuesi Manaj u shpreh se këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme dhe duhet përqëndrim dhe vetëbesim për të arritur te fitorja. Ndërsa mesfushori shqiptar, Keidi Bare theksoi se fillimisht duhet menduar ndeshja me Kazakistanin dhe se do të japë 100% e tij. Në fillim ishte Rei Manaj që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp:

-Rei, çfarë presim nga dy ndeshjet e ardhshme që ka kombëtarja ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë?

-Besoj se këto dy ndeshje janë ndeshje shumë të rëndësishme, sepse në ndeshjen me Lituaninë nuk ishim 100% ne. Në ndeshjet e kaluara që kemi bërë, besoj se grupi kishte arritur një ekuilibër dhe këto dy ndeshje shpresojmë që t’i fitojmë të dyja, por duhet të futemi në fushë të përqëndruar dhe të dimë që edhe nëse në letër mund të jemi më të fortë, fusha tregon gjëra të tjera. Që në ndeshjen me Kazakistanin duhet të futemi në fushë me vetëbesimin te kualitetet tona dhe për të arritur fitoren.

– A mendon se tani do kesh më shumë hapësira në skuadër duke qenë se nuk janë Balaj, Cikalleshi, Sadiku, Kamberi ishte i ftuar gjithashtu, nuk mundi të vijë, për shkaqe që dihen. Mendon se tani do të kesh më shumë hapësira në sulm?

– Jo, nuk besoj kështu. Është trajneri që zgjedh dhe shpresoj që të gjithë sulmuesit të jenë sepse ky është një ekip kombëtar dhe nuk do të thotë asgjë se kush luan nga fillimi apo kush futet në pjesën e dytë. Ne jemi të gjithë njëlloj këtu dhe sa më shumë konkurencë të ketë, aq më mirë është sepse lojtarët japin një plus.

– A ndjen se duhet të marrësh më shumë përgjegjësi tani që ke kaq shumë vite në skuadrën kombëtare? Ke gati 5 vite në grumbullimet e Shqipërisë.

– Besoj se të gjithë lojtarët në kombëtare duhet të marrin një përgjegjësi që në klubet e tyre nuk e kanë. Për një futbollist është gjëja më e lartë dhe normalisht që kur një lojtar vjen në kombëtare, duhet të japë 100% dhe akoma më shumë se ky është niveli më i lartë i futbollit. Personalisht duhet të jap akoma më shumë dhe shpresojmë që në këto dy ndeshjet e ardhshme të bëjmë sa më mirë.

 

Më tej, ishte radha e mesfushorit Keidi Bares që t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve:

– Keidi, keni folur me trajnerin për ndeshjen me Lituaninë dhe si mund të rregullohen?

– Unë nuk kam çfarë flas me trajnerin sepse trajneri është ai, i cili vendos se çfarë duhet të bëjmë në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Normalisht, duhet të theksoj se, siç e tha dhe Rei, nuk ishim ne në fushë, nuk dhamë 100% tonë, ishim të shpërqëndruar, por besoj se ndeshjet në vazhdim do t’i bëjmë mirë dhe do arrijmë fitore.

– Fakti që u transferove tani te skuadra e Espanjolit, të jep më tepër besim dhe siguri edhe për faktin se je dhe prej gati 3 vitesh pjesë e skuadrës kombëtare?

– Shumë besim dhe siguri jo, pasi këtu jemi të gjithë njësoj. Është trajneri ai i cili vendos se kush do luajë dhe kush jo. Fakti që kam ndërruar klub nuk do të thotë asgjë. Unë vij këtu si një lojtar më shumë, jap 100% tim për të arritur qëllimet e mia dhe mbi të gjitha për të krijuar një grup sa më të mirë.

– Në dy ndeshjet e radhës, Shqipëria vjen si favorite. Si mendon, me sa pikë duhet të dalë e kënaqur Shqipëria nga këto dy ndeshje?

– Pikë së pari duhet të mendojmë për ndeshjen e parë që është me Kazakistanin që të bëjmë lojën tonë, të futemi në fushë me qëllim për të fituar dhe të zhvillojmë një lojë sa më të mirë. Pastaj çdo gjë e tregon fusha, se çfarë pozicioni duhet të ketë Shqipëria.