Seminari me delegatët, Keller: "Siguria është thelbësore për garën sportive" - FSHF

Seminari me delegatët, Keller: “Siguria është thelbësore për garën sportive”

U zhvillua sot, në ambientet e Hotel “Tirana International”, seminari me Shefin e Delegatëve të UEFA-s, z.Stephane Keller. Të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm, të ideuar dhe organizuar nga Sektori Garave në FSHF, ishin të gjithë delegatët që angazhohen në garat futbollistike që zhvillohen në vendin tonë.

Z.Keller, pasi bëri një prezantim të detyrës së tij dhe foli për punën e tij në përditshmëri, shpjegoi për pjesëmarrësit sesi duhet të punojnë në rolin e delegatit si edhe bashkëpunimi që duhet të kenë me të gjithë faktorët pjesëmarrës në një ndeshje futbolli. Ai shpjegoi praktikat më të fundit të organizimit dhe menaxhimit të një ndeshjeje si edhe vuri në pah që gjithmonë, një delegat duhet të jetë fleksibël në varësi të rrethanave dhe siguria duhet të jetë thelbësore, në mënyrë që të mos cënohet gara.

Shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Lysien Nurishmi, theksoi rëndësinë dhe peshën që ka delegati në organizimin dhe menaxhimin e ndeshjes, pozicion që në futbollin shqiptar duhet të përafrohet shumë shpejt me standartet e UEFA-s.

FSHF synon që nëpërmjet këtij trajnimi të afrojë eksperiencën ndërkombëtare në organizimin dhe menaxhimin e një ndeshjeje futbolli, të rrisë nivelin e kualifikimit të delegatëve duke parë evoluimin e vazhdueshëm të futbollit në vendin tonë. Disa nga pikat ku u fokusua seminari ishin:
1. Krizat e menaxhimit gjatë ndeshjeve
2. Ndërprerja e ndeshjeve
3. Rastet e dhunës në stadium
4. Dhunimi i zyrtarëve të ndeshjes
5. Plotësimi i raportit final të ndeshjes
6. Komunikimi me klubet disa ditë përpara zhvillimit të ndeshjes
7. Takimi zyrtar me klubet ditën e zhvillimit të ndeshjes

Në fund të seminarit të gjithë delegatët iu nënshtruan një testimi që ishtë përgatitur nga zoti Keller sëbashku me Sektorin e Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, dhe koha e testimit ishte 20 minuta për tu dhënë përgjigje.