Seminari me arbitrat dhe asistentët, Kastrati: “Po punojmë për rritjen e performancës së arbitrave” (VIDEO) - FSHF

Seminari me arbitrat dhe asistentët, Kastrati: “Po punojmë për rritjen e performancës së arbitrave” (VIDEO)

Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbollit sëbashku me Shoqatën e Arbitrave zhvilluan një seminar tre ditor në Durrës me të gjithë arbitrat dhe asistentët e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë. Në të njëjtën kohë të gjithë arbitrat i janë nënshtruar edhe testimeve fizike në ambientet e Resortit Tropikal, në prani të Komitetit të Arbitrimit.

Seminari tre ditor trajtoi disa tema të nxehta në lidhje me punën e arbitrit, siç është bashkëpunimi me asistentin dhe prekjet e topit me dorë në zonë. Këto tema u trajtuan nga përfaqësuesi i FIFA-s, Alen Snody, i cili si lektor i ilustroi edhe me pamje filmike rastet e nxehta. Pas testimeve fizike, për FSHF Tv, foli dhe Kryetari i Shoqatës “Bashkimi Arbitrave Shqiptarë të Futbollit”, Tahir Kastrati. “Përgatitja e arbitrave për këtë sezon futbollistik përkon me seminaret që zhvillohen në mënyrë sistematike për formimin e arbitrave, për rritjen e performancës së tyre, në tre komponentë të rëndësishëm sic është përgatitja teorike, fizike dhe përgatitja psikologjike. Me ndihmën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-s e FIFA-s, kemi punuar në të gjithë aspektet dhe kjo ka ndikuar në rritjen e performancës së gjykimit. Besojmë dhe shpresojmë se do të vijë në rritje gjithçka. Përsa i përket arbitrave elitarë, atyre me stemën e FIFA-s, në të gjitha aktivitetet që kanë pasur janë vlerësuar me nota të mira dhe shumë të mira, si asistentët ashtu edhe kryesorët. Një performancë shumë të mirë në aktivitetet ndërkombëtare ka bërë kryesori jonë Enea Jorgji.

Përsa i përket arbitreve femra me stemën e FIFA-s duam të rrisim nivelin e tyre gjithnjë e më shumë, njëkohësisht të rrisim përfaqësimin në këto organizata. Krahas punës që bëhet me përgatitjet e gjyqtarëve meshkuj, është bërë një punë e mirë për afrimin dhe rritjen e numrit sasior e cilësor të gjyqtareve femra. Kemi tashmë arbitre me stemën e FIFA-s. Shpresojmë dhe besojmë që numri i tyre të rritet gradualisht me rritjen e performancës së tyre në gjykim gjatë aktiviteteve tona. Kjo është një nga prioritetet e Komitetit të Arbitrimit, të Shoqatës së Arbitrave dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, duke pasur patjetër dhe ndihmën e organizmave ndërkombëtarë siç janë UEFA dhe FIFA.

Ky seminar dy ditor që jemi duke zhvilluar është i rëndësishëm për ne. Ditën e parë pati tema thelbësore që u diskutuan dhe trajtuan nga instruktorë të FIFA-s. U prek bashkëpunimi i arbitrit kryesor me arbitrin anësor, prekja e topit me dorë në zonë, që janë nga problematikat më të mëdha të ditëe të sotme. Përsa i përket testimit teorik, u nda në dy drejtime, një teorik të mirëfilltë dhe me videotest. Rezultatet vijnë në rritje por ne kemi kërkesa që duhet të rritet më shumë puna në formimin teorik të arbitrave në mënyrë që teoria më pas të zbatohet në praktikë, për të eliminuar në maksimum gabimet. Përfunduam dhe testimet fizike të arbitrave kryesorë. Rezultatet ishin shumë të kënaqshme. Kjo rritje e formës fizike duhet të reflektohet me çdo kusht dhe gjatë ndeshjeve”, u shpreh Kastrati.