Seleksionimi i Kombëtares U-20, Haxhiraj: Shumë shpejt konsolidojmë grupin e U-20 - FSHF

Seleksionimi i Kombëtares U-20, Haxhiraj: Shumë shpejt konsolidojmë grupin e U-20

Ekipi Kombëtar U-20 ka zhvilluar këtë të enjte një seleksionim njëditor, me rreth 40 lojtarë të vitlindjes 2001 dhe 2002 që aktivizohen në kampionatin shqiptar.

Seleksionimi është zhvilluar në Qendrën Stërvitore Kamëz, nën drejtimin e trajnerit të sapoemëruar në pankinën e nën 20 vjeçarëve, Ilias Haxhiraj.

Në një prononcim për mediat, tekniku Haxhiraj u shpreh se ky seleksionim po bëhet me qëllim evidentimin e lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar dhe për ta prë gjendjen e tyre.

“Kjo është dita e parë e seleksionimit U-20, me qëllim për të evidentuar dhe për të parë gjendjen e lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar. Gjithashtu ekipi Kombëtar U-21 ka aktivitet dhe grumbullimin, për të parë dhe për të evidentuar lojtarë që mund të afrojmë tek ekipi U-21. Do të shikojmë gjendjen e tyre. Disa lojtarë luajnë në kampionatin shqiptar. Të mbarojmë këtë seleksionim dhe do të arrijmë në konkluzionin nëse ndonjë lojtar mund të afrohet tek ekipi që në këtë seleksionim ”– u shpreh trajneri i Kombëtares U-20.

Më tej ai theksoi se stafi i ka ndjekur me kohë lojtarët e thirrur në seleksionim dhe se shumë shpejt do të konsolidohet edhe grupi i U-20.

“Pa diskutim që ne të gjithë bashkë, kemi kaq kohë që këta lojtarë janë evidentuar, sidomos që luajnë në kampionat, kanë qenë dhe lojtarë të ekipit U-19 dhe janë të evidentuar. Besoj se shumë shpejt do të arrijmë në konkluzione dhe do të formojmë grupin e U-20. Duke parë dhe formën e lojtarëve, do të shikojmë për lojtarë edhe në Kategorinë A dhe patjetër që do të kem një grup më të konsoliduar ”– përfundoi Haxhiraj.