Seleksionimet e moshave vijojnë në këto ditë pushimi, këtë radhë me datëlindjen 2002. Së fundmi sipas një grafiku të punës nga ekipet kombëtare, faza seleksionuese është zhvilluar me fëmijë të kësaj datëlindje për zonën e Durrësit. Në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” në Durrës Sektori i Ekipeve Kombëtare në FSHF, në bashkëpunim me zyrën rajonale Durrës zhvilluan seleksionimin e datëlindjes 2002 për formimin e mëtëjshëm të përfaqësueses rajonale U-17 të zonës së Durrësit për sezonin e ri futbollistik 2017-2018. Në Durrës ishin mbi 60 fëmijë vetëm të vitlindjes 2002, prej të cilëve komisioni përkatës përzgjodhi 18 lojtarë dhe 2 portierë si bazë e ekipit kombëtar rajonal për Durrësin. Në këtë seleksionim të Durrësit në përzgjedhjen e elementit ishin trajnerët: Dzemal Mustedanagic, Erjon Bogdani dhe Eqerem Memushi, që të tre trajnerë të ekipeve kombëtare të moshave. Faza e përzgjedhjes për datëlindjen 2002 vijon këtë të mërkurë me Tiranën dhe në vijim me zonat e tjera rajonale.


















