Pas dy raundeve të para të fazave seleksionuese me të rinjtë e datëlindjes 2006 dhe 2002, ka nisur sot në Kamzë edhe përzgjedhja e fëmijëve të datëlindjes 2004 që luajnë në të gjitha kampionatet e kësaj moshe. Ditën e sotme këto seleksionime përfunduan për zonën e Tiranës. Në këtë raund të radhës për këtë zonë të kësaj datëlindjeje morën pjesë 154 futbollistë të rinj të cilët u vëzhguan nga një komision teknik me specialistë të FSHF-së. Trajneri i ekipit kombëtar U-19 Erion Bogdani, Luan Pinari dhe Memushi i kombëtares U-15 panë nga afër në seleksionimin e sotëm të gjithë këta të rinj të cilët për gjatë gjithë ditës u ndeshën në bateri të ndryshme loje në fushë. Ndeshjet u zhvilluan në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz dhe u gjykuan nga arbitrat e Kolegjiumit të Tiranës. Me këtë seleksionim specialistët do të përzgjedhin ekipin kombëtar rajonal të datëlindjes 2004, në një kohë që do të vijojë përzgjedhja edhe në zona të tjera të Shqipërisë, pikërisht në 5 rajonet e tjera kombëtare. Pjesa e seleksionimeve do të realizohet edhe për datëlindje të tjera në një kohë që testime për elementë cilësorë do të realizohen edhe jashtë vendit, në datat përkatëse shpallur nga sektori i ekipeve kombëtare.

















