Seleksionimet e fundit në Shqipëri për këtë vit, 247 futbollistë nën vëzhgimin e specialistëve - FSHF

Seleksionimet e fundit në Shqipëri për këtë vit, 247 futbollistë nën vëzhgimin e specialistëve

Sektori i Ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit ka filluar ditën e sotme seleksionimet për datëlindjet 2001 deri 2006, për të gjithë lojtarët e evidentuar dhe testuar gjatë të gjithë vitit në përfaqësueset rajonale dhe në seleksionime që janë zhvilluar përgjatë vitit në 6 Zyrat Rajonale që FSHF ka në Korçë, Shkodër, Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Fier.

Nga seleksionimet e zhvilluara brenda Shqipërisë janë parë dhe ndjekur nga afër mbi 1 mijë lojtarë të këtyre datëlindjeve. 247 më të spikaturit, do të testohen nga data 17 Dhjetor deri më datë 20 Dhjetor, sipas datëlindjeve respektive, në stërvitje dhe ndeshje stërvitore që do të zhvillohen në Qendrën Sportive Kamëz. Lojtarët janë nën urdhërat e stafit teknik teknik të drejtuar nga Dzemal Mustedanagic, i cili sëbashku me stafin e tij, Alban Bushi, trajneri U-21, Nevil Deden, trajner i U-19, Elvin Beqirin, trajner i U-17, Armand Dama, trajner i U-15 dhe Dritan Babamusta, Sulejman Mema e Denis Lilo nga sektori ekipeve Kombëtare, dhe për secilin lojtarë të vëzhguar do të merren të gjitha të dhënat të cilat do të skedohen për tu ndjekur në vazhdim nga stafi teknik, duke ndjekur ecurinë e tyre përgjatë vitit 2020 në skuadrat e tyre respektive.

Kalendari i seleksionimeve sipas moshave përkatëse:

• Datë 18 Dhjetor, ora 10:00, seleksionim me datëlindjet 2005
• Datë 18 Dhjetor, ora 13:00, seleksionim me datëlindjet 2001
• Datë 19 Dhjetor, ora 10:00, seleksionim me datëlindjet 2004
• Datë 19 Dhjetor, ora 11:30, seleksionim me datëlindjet 2003
• Datë 19 Dhjetor, ora 13:00, seleksionim me datëlindjet 2002
• Datë 20 Dhjetor, ora 10:00, seleksionimi përfundimtar me datëlindjet 2005-2006