SEKRETARI SHULKU: FSHF, GATI PËR TRE TURNETË NDËRKOMBËTARË TË UEFA-s - FSHF

SEKRETARI SHULKU: FSHF, GATI PËR TRE TURNETË NDËRKOMBËTARË TË UEFA-s

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së Ilir Shulku doli përpara mediave për të zbardhur në detaje tre turnetë që UEFA i ka besuar Shqipërisë në organizimin e saj për muajin tetor, duke nisur me turneun e kombëtareve U-19, pastaj me U-17 dhe në mbyllje me aktivitetin e femrave për moshën U-19. Përpara mediave, Sekretari i Përgjithshëm Shulku theksoi se “muaji tetor është jo vetëm muaji i ndeshjeve të ekipit kombëtar A me Spanjën dhe Italinë. Nga data 4, deri në datën10-tetor do të zhvillohen në Shqipëri, përkatësisht në Kamzë dhe në Tiranë, gjashtë ndeshjet eleminatore për Europianin e moshës U-19, ndeshje të cilat UEFA ka vendosur kohë më parë që të luhen në Shqipëri. Nisur edhe nga standarti i suksesshëm i turneve të mëparshëm, UEFA sërish i besoi Shqipërisë që të jetë vend organizator për grupin e 12-të ku marrin pjesë skuadrat kombëtare U-19 të Shqipërisë, Ukrainës, Malit të Zi dhe të Norvegjisë. Nga ana e FSHF-së janë marrë të gjitha masat. Ndeshjet do të zhvillohen një herë në 3 ditë, përkatësisht në datat: 4, 7 dhe 10 tetor. Takimet do të luhen në dy stadiume, në atë të Kamzës, dhe në “Selman Stërmasi”, sipas një kalendari tashmë prezent për të katër skuadrat dhe të fiksuar e miratuar muaj më parë. Ekipet kombëtare të të 4 vendeve pjesëmarrëse në grupin 12, do të akomodohen në Durrës. Skuadra përfaqësuese shqiptare U-19 ka nisur prej ditësh grumbullimin e saj në hotel “Tropikal” për të përgatitur edhe tre ndeshjet. Po kështu edhe me turnetë e tjerë”,- vijoi Shulku. Sipas Shulkut, pas përfundimit të ndeshjeve zyrtare eleminatore me Spanjën dhe Italinë, por edhe të ekipit kombëtar U-21, sërish nën organizimin e Shqipërisë, do të zhvillohet një tjetër turne me moshat e U-17, në Elbasan dhe në Tiranë. Spanja, Kroacia, Lihtenshteini dhe Shqipëria do të jenë katër skuadrat që për moshën U-17 do të luajnë në tre ditë respektive në datat 19, 22 dhe 25 tetor. Vlen të përmendet fakti që në të tre këto 3 turnetë HYRJA për të gjithë do të jetë FALAS. “Ftojmë të gjithë sportdashësit e futbolldashësit që të ndjekin skuadrat kombëtare, në këto gara kualifikuese. E mbyllim në fund muajin tetor me një tjetër organizim turneu që është ai i ekipit kombëtar U-19. Këto ndeshje do të zhvillohen në datat 25, 28 dhe 31 tetor në stadiumet e qyteteve të Durrësit dhe të Kamzës”,- përfundoi sekretari i përgjithshëm i FSHF-së që në fund iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve të pyetjeve të ndryshme.

Më poshtë do të përcjellimin edhe kalendarin e 3 ditëve të turneut të UEFA-s për U-19:

Dita e parë – 4 tetor

UKRAINË   –   SHQIPËRI           

(“Selman Stërmasi”, ora 14.00)

NORVEGJI  –   MALI I ZI

(Stadiumi i Kamzës, ora 12.00)

 

Dita e dytë – 7 tetor

MALI I ZI    –    SHQIPËRI           

(“Selman Stërmasi”, ora 12.00)

UKRAINË   –    NORVEGJI

(Stadiumi i Kamzës, ora 14.00)

 

Dita e tretë – 10 tetor

SHQIPËRI   –   NORVEGJI 

(“Selman Stërmasi”, ora 14.00)

MALI I ZI    –    UKRAINË

(Stadiumi i Kamzës, ora 14.00)


Duke kontrolluar karten...