Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit, Ilir Shulku përshëndet Kuvendin Vjetor të FFK - FSHF

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit, Ilir Shulku përshëndet Kuvendin Vjetor të FFK

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit Ilir Shulku, ditën e hënë mori pjesë si i ftuar dhe përshëndeti në emër të FSHF Kuvendin Vjetor të Federatës së Futbollit të Kosovës. Zoti Shulku vlerësoi punën e FFK dhe shprehu përgëzime për performancën e përfaqësueses së Kosovës. Ai konfirmoi vijimësinë e projekteve të përbashkëta në të mirë të futbollit. Një shembull është Kupa e përbashkët “Nënë Tereza”. Ai shtoi se bashkëpunimi rajonal në fushën e futbollit duhet të shtrihet dhe të përfshijë edhe federatat e tjera në Ballkanin perëndimor. Më poshtë do të gjeni fjalën e plotë të zotit Shulku:

I dashur President, Agim Ademi!
I dashur Sekretari i Përgjithshëm Eroll Salihu!
Të dashur anëtarë të Kuvendit të FFK!
I nderuar President i Komitetit Olimpik z. Besim Hasani!
Të nderuar përfaqësues të UEFA-s dhe FIFA-s!
Të dashur vëllezër, personalitete të futbollit kosovar!
Të nderuar përfaqësues të medias!
Të dashur miq!

Kam kënaqësinë që në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Presidentit Armand Duka t’ju përshëndes në këtë event të rëndësishëm për Ju. Bashkë me urimet me të ngrohta dua të sjell edhe vlerësimin tonë maksimal për punën dhe veprimtarinë e FFK dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë.
Dëshiroj të nis këtë fjalë me përgëzimet më të mira, për punën e shkëlqyer dhe performancën e ekipit kombëtar të Kosovës, e cila i ka ngritur peshë zemrat e sportdashësve jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri e më gjerë, ku jetojnë e punojnë shqiptarët në të gjithë botën.
Të gjithë ne urojmë shumë që ky sukses të vijojë me një kualifikim të mundshëm në Euro 2020 dhe ne të vazhdojmë të shohim Kosovën, të fortë e konkurrente në kompeticionet evropiane dhe botërore.
Bashkëpunimi mes FSHF dhe FFK, ka qenë, është dhe do të jetë, në një nivel të shkëlqyer. Jemi duke u koordinuar në të gjithë aspektet e bashkëpunimit mes federatave dhe vendeve tona në fushën e futbollit, ashtu edhe në nismat që ndërmerren nga institucionet ndërkombëtare të futbollit, si UEFA dhe FIFA. Do të shikojme që në kuadër të prioriteve tona, të shtonim edhe më shumë bashkëpunimin sidomos në fushën e futbollit të fëmijëve dhe femrave.
Siç e dini të gjithë, së fundi kemi aplikuar sëbashku për organizimin e një kupe mes klubeve të vendeve tona, nën emrin e humanistes së madhe botërore me origjinë shqiptare, Nënë Tereza. E ndërsa presim miratimin nga ana e FIFA dhe UEFA, duam të garantojmë se ky kompeticion sjell frymën e bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjes në futboll. Kjo kupë do tu japë mundësi të shkëlqyera klubeve të Shqipërisë dhe Kosovës për të rritur nivelet e tyre, si dhe sportdashësve në të dy anët e kufirit, të përjetojnë emocione dhe eksperienca të paharruara.
Gjithashtu, nuk mund ta mbyll këtë fjalë përshëndetëse, pa shprehur një falënderim publik për mbështetjen dhe solidarizimin e Presidentit Ademi dhe FFK pas tërmetit shkatërrues të 26 Nëntorit në Shqipëri. U jemi mirënjohës për solidaritetin dhe mbështetjen.
Të dashur vëllezër!
Në emër të Presidentit Duka dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, ju premtojme se do bëjmë gjithçka të mundur sëbashku, për të zhvilluar edhe më tej futbollin në vendet tona.
Le të vazhdojmë kështu, të bëjmë më të mirën për sportin më të bukur në botë, futbollin.

Duke ju falënderuar,
i uroj punime të mbara këtij Kuvendi.

Faleminderit
Ilir Shulku