Reja shpall listën e Kombëtares për 3 ndeshjet e nëntorit: Uroj të kem të gjithë lojtarët në dispozicion - FSHF

Reja shpall listën e Kombëtares për 3 ndeshjet e nëntorit: Uroj të kem të gjithë lojtarët në dispozicion

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja ka dalë sot në konferencën për mediat, ku ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për tre ndeshjet e muajit nëntor. Tekniku italian shpjegoi listën me lojtarët e grumbulluar, ku theksoi se edhe në këtë grumbullim, ka mungesa të disa lojtarëve për shkak të pandemisë covid-19, dëmtimeve por edhe për shkak të problemeve që vijnë nga klubet.

Trajneri Reja theksoi se panoramën më të qartë për lojtarët e grumbulluar do ta kemi ditën e martë, në konferencën zyrtare përpara ndeshjes me Kosovën. Ai u shpreh se objektivi kryesor i Shqipërisë mbetet vendi i parë në grup. Drejtuesi i stolit kuqezi foli edhe për miqësoren me Kosovën, të cilën e sheh si test për disa lojtarë të rinj, për vijën e sulmit dhe për mungesën e tifozëve në stadium. Për teknikun Reja, skema mund të ndryshojë, në varësi të lojtarëve që do të ketë në dispozicion.


Shqipëria do të luajë tre ndeshje në shtëpi këtë muaj, një miqësore me Kosovën (11 nëntor) në stadiumin “Elbasan Arena”, dhe dy ndeshje zyrtare kundër Kazakistanit (15 nëntor) dhe Bjellorusisë (18 nëntor) në stadiumin kombëtar “Air Albania”

Në fillim, e mori fjalën tekniku italian, i cili shpjegoi problematikat me të cilat është hasur para këtij grumbullimi për shkak të pandemisë dhe dëmtimeve.

“Edhe këtë herë, ashtu si në grumbullimin e fundit, kemi probleme, për shkak të mungesave të ndryshme që vijnë nga pandemia Covid-19, por edhe nga dëmtimet. Kemi lojtarë që mungojnë ssi si Strakosha, Dermaku, Mihaj, Mersinaj, Lenjani, Roshi, Kamberi, Çekiçi, Bare, por edhe Trashi dhe Vrioni janë dy lojtarë që janë me pikëpyetje. Ne do kemi ndeshje që do luhen në fundjavë, të shtunën dhe të dielën dhe besoj se të hënë do të kemi një panoramë më të qartë për lojtarët që mund të kemi në dispozicion. Është për shembull rasti i Gjasulës, i cili luan të hënën dhe të martën do të flasim me të nëse mund të vijë në grumbullim ose jo. Gjithsesi ne do të kemi një komunikim tjetër të martën para ndeshjes miqësore me Kosovën dhe aty do të jem dhe më i qartë për lojtarët që do të kemi në dispozicion”.

– Mister, ju shqetëson fakti që një pjesë e lojtarëve kryesisht që luajnë në repartin ofensiv, nuk kanë minuta? A keni një diskutim me klubet nëse do të kemi situatë si muajin e kaluar ku një pjesë e lojtarëve nuk iu bashkuan kombëtares për shkak të rregullave të vendosura prej pandemisë?

– Sigurisht që jam i shqetësuar për këtë situatë dhe për problemet që kemi me klubet. Është e vërtetë, sidomos klubet italiane që kanë rregulla të veçanta dhe mund të na nxjerrin probleme. Dhe pikërisht aty kemi edhe disa lojtarë që luajnë, të repartit të mbrojtjes. Ne kemi pasur kontakte vazhdimisht gjatë këtyre ditëve, edhe Federata ka kontaktuar nga ana e saj, edhe unë, edhe Presidenti është angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve, por është një problem i përgjithshëm që e kanë të gjitha vendet dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Kemi tre ndeshje, përpara kemi ndeshjen me Kosovën që është një miqësore por pastaj kemi ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë që janë ndeshje zyrtare. Janë ndeshje shumë të rëndësishme.

Sigurisht, unë dua të kem të gjithë lojtarët më të mirë të gatshëm për këto ndeshje, por patjetër që kam dyshime sa i përket listës, për mundësitë që do të kenë të gjithë lojtarët për të ardhur për t’u grumbulluar me ekipin. Uroj të mos kemi, thashë që kemi probleme në aspektin mbrojtës, pra lojtarët që mund të mos vijnë, mund të bllokohen nga klubet.

Dhe do të presim, kam besim që deri të martën, te kem një panoramë të qartë siç e thashë të lojtarëve që do kem në dispozicion. Sigurisht do kem shumë pak kohë për të përgatitur ndeshjen miqësore me Kosovën. Por shpresoj dhe kam besim që do kemi lojtarët më të mirë në grumbullim.

– Janë dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve. Në qoftë se nuk arrihet objektivi për të dalë të parët, a mund të cilësohet si një dështim dhe si e komentoni përgjigjen e qeverisë, e cila nuk lejoi rikthimin e tifozëve për këto tre ndeshje?

– Lidhur me objektivat që ka kombëtarja, dy ndeshjet e fundit që ne patëm në Nations League, objektivi ishte për të marrë katër pikë por morëm dy pikë. Në ndeshjen e parë bëmë një paraqitje diskrete ndërsa në ndeshjen e dytë bëmë një paraqitje më të mirë. Patëm shumë raste për shënim, por nuk arritëm të finalizonim, gjë që na penalizoi.

Sa i përket dy ndeshjeve të ardhshme zyrtare, janë dy ndeshje që ne duhet t’i fitojmë. Pra objektivi ynë është për të fituar, pavarësisht problemeve që kemi me lojtarët. Sigurisht, objektivi ynë ka qenë vendi i parë dhe mbetet akoma ai objektiv që ne të arrijmë në vend të parë. Kemi mundësi të marrim pikët e duhura që na sigurojnë këtë vend. Do të japim maksimumin për të arritur këtë objektiv deri në fund.

Sa i përket tifozëve, unë kam parë edhe në Itali, duken ndonjëherë sikur shikojmë ndeshje miqësore kohët e fundit, për shkak se nuk ka tifozë në shkallët e stadiumit. Sigurisht, nuk është një futboll natyral pa publik. Më vjen shumë keq, për shkak se në ndeshjet në shtëpi ndihet shumë mungesa e tifozëve. Por ky është realiteti, është një problem i përgjithshëm dhe duhet të mësohemi me këtë situatë. E rëndësishme për ne është të luajmë futboll. Është një futboll ndryshe por tani jemi mësuar dhe shpresoj që të mos na krijojë probleme mungesa e tifozëve.

– Mister, në këto ndeshje, do të jetë një sulm i ri apo një sulm me përvojë duke qenë se në listë kanë ardhur Cikalleshi dhe Balaj?

– Ne në ndeshjet e fundit kemi pasur mundësi të bëjmë disa testime, disa prova sa i përket sulmit. Kemi parë Brojën, i kemi dhënë mundësi, e kemi parë në fushë, në ndeshje, ka bërë një paraqitje të mirë. Dhe me klubin po bën shumë mirë. Pastaj, kemi provuar edhe Kallakun, të cilin më në fund arrita ta shoh në aksion. Por ndeshja me Kosovën do të më shërbejë për të bërë disa vlerësime për situatën e grupit dhe për lojtarët e rinj sigurisht. Por ndeshjet vendimtare për ne janë ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Absolutisht nuk e nënvlerësojmë Kosovën, është një ekip shumë kompetitiv, do jetë një ndeshje vëllazërore. Kjo ndeshje ka rëndësinë e vet, sidomos për disa lojtarë që nuk kanë luajtur shumë në ndeshjet e fundit dhe është një mundësi e mirë për mua që të shoh prapë lojtarë të rinj, të bëj disa prova. Gjithsesi shqetësimi im siç e thashë është të shoh të gjithë lojtarët që do të kem në dispozicion. Të hënën do kem thuajse të gjithë grupin dhe do të kem vetëm një ditë për të përgatitur këtë ndeshje kështu që shpresoj të marrim maksimumin.

– Historinë e lidhjes së Shqipërisë me Kosovën, trajneri e ka të qartë. Gjithsesi, nuk e di nëse e ka të qartë që në vitin 2018, pas miqësores me Kosovën, filloi të shkërmoqet edhe projekti i Panuçit. Pra, përpos dy ndeshjeve të fundit dhe detyrimit për të fituar Ligën e Kombeve, a mendon se dhe kjo miqësore përballë Kosovës mund të ndikojë te projekti që trajneri Reja ka me kombëtaren shqiptare?

– Nuk e shoh me vend krahasimin me atë që ndodhi pas ndeshjes me Kosovën dy vjet më parë. Sigurisht, Kosova ka rëndësinë e saj si takim. Shqetësimi im kryesor është të kem të gjithë lojtarët në dispozicion, të kem të gjithë grupin dhe siç e theksova, dy ndeshjet zyrtare për mua kanë rëndësi më të madhe, sigurisht pa i hequr rëndësinë miqësores me Kosovën.

Unë e shoh realitetin në sy, pra duke parë situatën në të cilën jetojmë, me pandeminë, me dëmtimet etj., punoj me të rinjtë, por sigurisht që projekti vazhdon. Duam që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë, sigurisht sa herë zbresim në fushë, objektivi ynë është që të fitojmë. Këto tre ndeshje kanë ardhur, sërish në një moment shumë të vështirë për të gjithë. Jemi Shqipëria! Shqipëria gjithmonë luan për të fituar dhe unë jam i bindur që lojtarët që do zbresin në fushë në ndeshjet e radhës do japin maksimumin dhe të marrim prapë maksimumin në të tria ndeshjet.

-Mister, në listë ka 7 sulmues dhe vetëm 4 qendërmbrojtës, duke mos e harruar edhe Çepelen që bëhet i pesti. Mos ndoshta do jeni i shtrënguar që të ndryshoni skemën në dy ndeshjet zyrtare?

– Po, sigurisht që skema mund të ndryshojë. Skema bëhet në varësi të lojtarëve që ne kemi në dispozicion. Sigurisht, nëse disa nga lojtarët e mbrojtjes që i përmendëm pak më parë, nuk do kenë mundësi të bashkohen me skuadrën, për shkak se mund të bllokohen nga klubet, do të na duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër. Deri tani mund të them që Veseli, Ismajli dhe Gjimshiti kanë dhënë ok për të ardhur. Trashi është akoma në pikëpyetje, Hysaj e kemi llogaritur, por gjithçka mund të ndodhë deri në momentin e fundit. Sigurisht nëse do kemi mungesa të tjera, unë do ta rishikoj skemën nuk diskutohet. Gjasula mund të vijë të martën ose të mërkurën në mëngjes, kështu që mund të mos e llogaris për ndeshjen me Kosovën, pra është gjithmonë me pikëpyetje, por sigurisht do jetë për dy ndeshjet e tjera. Mund të bëj ndonjë provë, mund të provojmë skemën 4-3-1-2.

Skema bëhet nga trajneri, por varet nga lojtarët që kemi në dispozicion. Moduli i lojës që kemi përdorur deri tani, na ka dhënë garanci, edhe në ndeshjet e fundit, skema ka funksionuar por thjesht nuk kemi pasur fat përpara portës. Unë dua që mesfushorët dhe krahët të shtyjnë shumë përpara dhe të kemi 5-6 lojtarë që janë të pozicionuar në fazën mbrojtje, por sigurisht ta mbështesin, ta shtyjnë ekipin përpara. Patjetër, mund të ketë ndryshime të skemës.

Sigurisht, unë në karrierën time kam përdorur shumë skema, nuk është se jam i fiksuar pas njërës skemë, por për ndryshimin e një skeme duhet kohë, duhen testuar lojtarët, duhen provuar në ndeshje etj. Ajo që mund t’ju them është që lojtarët janë përshtatur me këtë skemë, ndihen të sigurt. Nuk është se unë kam vendosur këtë skemë dhe ekipi nuk është përgjigjur. Jo, ekipi është përgjigjur mirë, por janë situata që do t’i shohim në vazhdimësi. Për skemat jam i hapur, por varet nga lojtarët.