Reja dhe Berisha në konferencë për mediat: Ndaj Anglisë luajmë për rezultat pozitiv - FSHF

Reja dhe Berisha në konferencë për mediat: Ndaj Anglisë luajmë për rezultat pozitiv

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja dhe kapiteni Etrit Berisha kanë dalë këtë të shtunë në konferencën zyrtare për mediat, në prag të ndeshjes që ekipi ynë Kombëtar do të zhvillojë ndaj Anglisë, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Katar 2022”.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve , trajneri Reja u shpreh se pavarësisht faktit se Shqipëria do të përballet me një nga ekipet më të mira në botë, ekipi do të tentojë që ta mbajë në presion gjatë gjithë kohës Anglinë dhe do të synojë që të marrë një rezultat pozitiv. Gjithashtu, tekniku italian theksoi se skuadra duhet të jetë e kujdesshmë në aspektin psikologjik, teksa foli edhe për mungesën e Kumbullës dhe mundësitë e formacionit.

Ndërsa kapiteni Berisha u shpreh se skuadra e ka të qartë rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe do të mundohen ta shfrytëzojnë për të marrë një rezultat pozitiv, për të lehtësuar rrugën drejt kualifikimit në Botëror.

Ndeshja me Anglinë do të zhvillohet ditën e nesërme (28 mars 2021) në ora 18:00, në stadiumin kombëtar “Air Albania” dhe për shkak të kushteve të krijuara nga pandemia Covid-19, nuk do të ketë tifozë. 3 ditë më vonë, Kombëtarja jonë do të luajnë në transfertë ndaj San Marinos.

Në fillim ishte trajneri Edy Reja ai që iu përgjigj interesit të gazetarëve:

Ekipi i Anglisë-  Sigurisht Anglia është një nga rivalet më të forta në Europë. Ka një grup lojtarësh të rinj, shumë cilësorë. Ata, përveç botërorit po përgatiten edhe për Europianin e ardhshëm. Shoh që po punojnë shumë mirë, kanë një grup me cilësi të mira. Kejn është e tashmja, lojtari më i fortë aktualisht, ndërsa lojtarë si Foden dhe Mount janë lojtarë të rinj të cilët kanë kohë për të treguar vlerat e tyre me Kombëtaren.

Si i kam motivuar lojtarët e mi ndaj Anglisë? – Sigurisht që motivimi është shumë i lartë në këtë ndeshje, siç e thatë edhe ju nuk ka nevojë t’i motivosh lojtarët, pasi përballë do të kenë një nga skuadrat më të forta në Europë. Por nuk është thjesht çështje motivimi, është çështje tensioni dhe pjekurie. Në këtë sfidë duhet të jemi shumë të kujdesshëm në aspektin psikologjik. Anglia ka lojtarë shumë të aftë dhe cilësorë në aspektin taktik dhe Teknik. Janë lojtarë të rinj, agresivë dhe të shpejtë dhe duhet të përgatitemi sa më mirë, t’i lëmë sa më pak hapësira. Shpresoj që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë në këtë takim.

Broja titullar? – Në fakt për mua janë të gjithë lojtarët njësoj. Ekipin do ta vendosim para ndeshjes dhe ata përpara fillimit të ndeshjes do të marrin vesh kush do të jetë në formacion. Në fazën sulmuese kemi titullarë, përveç Brojës, kemi Cikalleshin dhe Manaj, por do të zgjedhim se kush do ta nisë ndeshjen nga fillimi. Për Brojën do t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë, ka mundësi që ai ta nisë nga fillimi, ai e njeh Anglinë shumë mirë dhe mund të na japë një dorë. Por ende nuk e kemi vendosur se kush do ta nisë titullar.

Alternativat për mbrojtjen – Sigurisht ne kemi zgjidhje të tjera, për shkak të mungesës së Kumbullës, kemi Ismajlin, Gjimshitin por edhe Veselin, i cili është paraqitur mirë kohët e fundit dhe mund ta angazhojmë pikërisht në atë rol. Te Salernitana ai luan në atë rol, pak në qendër të mbrojtjes dhe është mësuar me këtë pozicion në fushë. Por kam menduar për Gjimshitin në zemër të mbrojtjes, aty ku është edhe zona e Kejnit, i cili mund të jëtë më i rrezikshëm dhe për staturën që ka, ai është më i përshtatshëm që të përballet me të. Nuk besoj se kemi probleme pavarësisht mungesës së Kumbullës, edhe besoj se kushdo që do të zbresë në fushë do të bëjë një ndeshje të mirë. Më vjen keq për Kumbullën, pasi po paraqitej mirë, po luante edhe me Romën, por për shkak të këtij shqetësimi, vendosëm mos ta rrezikonim.

Ndeshja e nesërme – Sigurisht Anglia shënoi 5 gola me San Marinon, por është një skuadër që ka cilësi dhe nuk është surprizë. Besoj se nga pikëpamja taktike duhet të jemi shumë të zotë gjatë gjithë lojës, por nuk mund të rrimë 90 minuta në mbrojtje. Duhet t’i sulmojmë, t’i frikësojmë. Kemi karakteristikat e duhura për të përballuar një ndeshje të tillë. Duhet të shfrytëzojmë hapësirat për t’i sulmuar dhe për t’i shqetësuar dhe t’i mbajmë në tension të lartë gjatë gjithë kohës. Kemi respekt për Anglinë, por ne do të bëjmë ndeshjen tonë dhe nuk kemi pse të mos synojmë të marrim një rezultat pozitiv.

Më pas, ishte kapiteni Etrit Berisha ai i cili iu përgjigj interesit të gazetarëve:

Anglia? – Anglia është një ekip jashtëzakonisht i fortë dhe nëse merren të gjithë lojtarët që ka, ata kanë potencial për të  krijuar raste dhe për t’i fituar ndeshjet, por ne e dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe kualitetet e tyre. Do mundohemi ta përgatisim këtë ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme.

Mungesa e Kumbullës – Sa i përket Kumbullës, është një lojtar në rritje, por kemi edhe lojtarë të tjerë, që mund të luajnë shumë mirë në atë pozicion. Në këtë pikëpamje, jam shumë i sigurt që do bëjnë një paraqitje të mirë.

Presioni përpara ndeshjes – Anglia është një ekip shumë i mirë, një ndër më të mirat në botë. Sa i përket presionit, nuk është edhe aq i lartë, sa ndoshta mund të jetë në ndeshjet e tjera, për shkak se kemi edhe rivalet tona direkte. Kjo është një ndeshje në vete mendoj dhe ne do mundohemi që ta bëjmë mjaft të vështirë për anglezët dhe të mundohemi të marrim diçka nga ta. Nëse marrim një rezultat pozitiv atëherë edhe vetëbesimi në skuadër do të rritet edhe më shumë dhe rrugëtimi ynë drejt këtyre kualifikueseve do të jetë më i lehtë.

Ndeshja me Andorrën – Ndeshja me Andorrën, i dinim vështirësitë që do të kishim, pasi e njihnim kundërshtarin edhe më herët. Ka qenë e rëndësishme ta nisnim me këmbën e mbarë dhe të fitonim. Dhe kur fiton një ndeshje, atëhre gjithçka është më e lehtë, që të sfidohet edhe një ekip nga Anglia. Kombëtarja ka një kohë të gjatë që nuk ka luajtur ndeshje me ekipe me kualitete si Anglia. Motivimi te çunat është shumë i madh. Kjo është një ndeshje më vetë. Do të mundohemi të japim maksimumin dhe do të jetë shumë motivuese nëse marrim një rezultat pozitiv.

Lojtarët e rrezikshëm tek Anglia- Të gjithë lojtarët kanë kualitete, luajnë në Ligën më të fortë në botë. Nëse fokusohemi vetëm te një lojtar, atëherë gabojmë. Duhet t’i shikojmë të gjithë lojtarët, si skuadër. Por Kane dhe Sterling janë dy lojtarë të cilët kanë pasur shumë prezenca në Angli dhe ata mendoj se do jenë lojtarët më të rrezikshëm.