Reforma në Sport, Presidenti Duka takon Ministren Denaj - FSHF

Reforma në Sport, Presidenti Duka takon Ministren Denaj

Presidenti Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv Bardhyl Minxhozi, zhvilloi ditën e sotme një takim me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Në qendër të bisedës së zhvilluar ndërmjet tyre ishte draft-projekti për përmirësimin paketës financiare që do të ndihmojë reformimin e sportit.

Presidenti Duka diskutoi me ministren Denaj për ndryshimet ligjore në paketën financiare të propozuara nga FSHF në këtë projekt reformim. Prej disa kohësh grupet e punës kanë pasur vështirësi në gjetjen e një gjuhe të përbashkët, ç’ ka ka krijuar një lloj ndalese në vijëmësinë e procesit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, zonja Denaj, ka shprehur gatishmërinë për përshpejtimin e kësaj reforme dhe ka ngarkuar Drejtorin e Kabinetit, z. Ervin Mete, për të ndjekur në vazhdimësi këtë proces. Ndër pikat e diskutuara ishin Ligji për Sponsorizimet, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat dhe Ligji për TVSH-në.

Të gjitha këto ndryshime do të diskutohen në grupet e punës që janë ngritur më parë pranë Këshillit të Ministrave dhe më pas kjo paketë ligjore do të dërgohet në Komisionin e Ligjeve dhe Komisionin e Ekonomisë për të marrë miratimin përpara dërgimit në Parlament për votim.