Projekti ambicioz për futbollin e fëmijëve në shkolla vijon çdo ditë, sipas një plani nga ana e zyrës përkatëse, dhe koordinatorëve në rrethe. Së fundmi në Durrës në shkollën 9-vjeçare “Eftali Koçi” startoi ky projekt që ka ngjallur një interes jot ë vogël te fëmijët, por edhe te prindërit që janë njohur më parë nëpëmjet promovimit mediatik.
Në këtë shkollë fillimisht fëmijëve iu prezantua një nismë e tillë në klasë duke kryer një bashkëbisedim në lidhje me lojën e bukur të futbollit dhe ku dukej qartë dëshira e madhe për të luajtur futboll. Me pas fëmijët kaluan në fushë, aty ku ju demonstruan disa ushtrime si: udhëheqje e topit dhe pasime me top. Pas përfundimit të ushtrimeve të gjithë së bashku djem dhe vajza zhvilluan një lojë futbolli. Në këtë aktivitet morën pjesë nxënësit e klasës së tretë ku 10 ishin vajza dhe 15 djem. Të gjithë u argëtuan dhe në fund shprehën dëshirën që ora e mësimit të zgjaste sa më shumë.
Ndërkaq, në Tiranë vijon edhe implementimi i projektit në shkolla të ndryshme, ku dje fëmijët e shkollës “Misto Mame” dhe “Kongresi i Lushnjes” në orët e edukimit fizik kanë kryer orën e futbollit.



















