PROJEKTI “GROW” NUK NDALET, FËMIJËT E DUAN FUTBOLLIN NË ORËN E FISKULTURËS! - FSHF

PROJEKTI “GROW” NUK NDALET, FËMIJËT E DUAN FUTBOLLIN NË ORËN E FISKULTURËS!

Vazhdon rregullisht edhe zbatimi i projektit “GROW” për futbollin në shkolla, një angazhim dhe prioritet maksimal i FSHF-së në partneritet të ngushtë më UEFA-n.  Fëmijët e shkollave të ndryshme 9-vjecare të klasave të para të dyta dhe të treta janë pjesë e lojës së futbollit në orën e edukimit fizik. Në shkollat e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës, koordinatorët përkatës të projektit në një bashkëpunim të ngushtë me mësuesit e edukimit fizik vijojnë sipas një plani të mirëdetajuar edhe orën e futbollit me fëmijët e këtyre moshave djem edhe vajza.

NË TIRANË – Kështu projekti ”GROW 2020” u prezantua  së fundmi në kryeqytet në shkollën “Ali Demi”. Fëmijët e nisën orën e tyre të edukimit fizik me ushtrime të ndryshme, dhe më pas kaluan te loja e futbollit 5 me 5. Spikat një dëshirë shumë e madhe si për djem, por edhe për vajzat të cilët janë shumë aktivë gjatë orës së fiskulturës, duke kërkuar të luajnë në fushë në një ndeshje mes njeri-tjetrit.

NË DURRËS – “GROW” u prezantua ne një tjetër shkollë, pikërisht te “14 Nentori”. Në aktivitetin e radhës morën pjesë 26 nxënës të klasës së tretë ku 14 prej tyre ishin djem dhe 12 vajza. Ne fillim, ora e edukimit fizik nisi me disa ushtrime argëtuese për fëmijët, dhe më pas u zhvilluan dy ndeshje futbolli me skuadra të ndara 6 me 6.

NË SHKODËR – Nxënësit e shkollës “Branko Kadia” u bënë pjesë e argëtimit me futbollin. Pjesëmarrës në lojë ishin fëmijët e klasave të para të kësaj shkolle, të cilët u ndanë në dy grupe me nga dhjetë fëmijë, në një lojë mes tyre 5 me 5, duke u alternuar në djem dhe vajza. Fëmijët ishin shumë të kënaqur,  një fakt që tregon edhe afeksionin e madh që kanë ata për të luajtur futboll. Po në Shkodër, në shkollën “Martin Camaj” nxënësit morën pjesë në orën e futbollit. Përveç lojës së futbollit, ku fëmijët u ndanë në grupe shtatë me shtate, mësuesi i edukimit paraprakisht orientoi fëmijët te pasimet dhe te mbajtja e topit.