Procesi i Licensimit dhe rritja kapaciteteve organizative e menaxheriale të klubeve, Duka takim me të gjithë Presidentët e Kategorisë Superiore - FSHF

Procesi i Licensimit dhe rritja kapaciteteve organizative e menaxheriale të klubeve, Duka takim me të gjithë Presidentët e Kategorisë Superiore

Procesi i Licensimeve për sezonin 2020-2021 fillon zyrtarisht nesër, me takimin që Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të realizojë me të gjithë Presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore. Procesi i Licensimit dhe rritja e kapaciteteve organizative dhe menaxheriale të klubeve, do të jetë fokusi i FSHF-s për sezonin e ardhshëm.

Gjatë këtij sezoni, Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me ekspertë të UEFA-s, do të organizojnë një seri trajnimesh, me qëllim rritjen e organizimit dhe menaxhimit nga klubet. Këto trajnime do të mbulojnë të gjithë aspektet organizative të një klubi futbolli, duke u fokusuar në menaxhimin dhe raportimin më të mirë financiar, shfrytëzimin e Marketingut dhe Marrëdhënieve Publike si një mjet për gjenerimin e të ardhurave, rregullimin e të gjithë aspekteve juridike dhe njohjen e gjithë rregulloreve disiplinore të UEFA-s dhe FIFA-s, sigurinë në stadiume dhe masat e nevojshme për organizimin e një ndeshjeve, si dhe shumë element të tjerë thelësorë për një menaxhim cilësor dhe efikas.

Përtej anës organizative dhe menaxheriale, ky cikël trajnimesh do të përmbajë edhe elementë sportivë, siç është organizimi dhe menaxhimi efikas i akademive, si aseti më i madh që ka një klub futbolli. Kjo e lidhur edhe me vendimin më të fundit të marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF në lidhje me tarifën e kompensimit mbi trajnimin e të rinjve, një vendim shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e çdo klubi futbolli në Shqipëri.

Në këto trajnime që do të jenë të shtrira në të gjithë vitin do të marrin pjesë edhe ekspertë nga Federata homologe, të cilët do të japin eksperiencën më të mirë të vëndeve respektive nga vijnë për shumë prej pikave të këtij procesi jetik për futbollin tonë.