Procesi i licensimeve për Kategorinë e Parë 2020-2021, Gjini: “Kemi rritur kërkesat për kriterin infrastrukturor” (VIDEO) - FSHF

Procesi i licensimeve për Kategorinë e Parë 2020-2021, Gjini: “Kemi rritur kërkesat për kriterin infrastrukturor” (VIDEO)

Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur prej javësh procesin e licensimit për sezonin 2020-2021, proces i cili përfshin klubet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë, Kategorisë së Dytë, ekipet e moshave kandidate për pjesëmarrje në UEFA Youth Champions League dhe klubet e femrave kandidate për pjesëmarrje në UEFA Women’s Champions League. I gjithë procesi përmbledh brenda vetes shumë kritere dhe procese të cilat duhet të përmbushen në kohë sipas përcaktimeve të parashikuara nga Sektori i Licensimeve në FSHF.

Në këtë kuadër, Menaxheri i Licensimit, ka kryer sot një workshop me klubet e Kategorisë së Parë, si pjesë shumë e rëndësishme e procesit. Klubet kanë kritere të përcaktuara qartë, si ai sportiv, infrastrukturor, i administratës dhe personelit, ligjor e financiar. Procesi i licensimit është i shkallëzuar në aspektin e kërkesave në kritereve, ku klubet e Kategorisë së Parë në raport me klubet që garojnë në Kategorinë Superiore ose kompeticionet e UEFA-s kanë një ngarkesë dokumentacioni më të reduktuar sidomos në aspektin sportiv. Kriteri më i rëndësishëm i klubeve të Kategorisë së Parë, është infrastrukturor, duke parë problematikat e ndeshura ndër vite, sigurisht pa nënvlerësuar asnjë nga kriteret e tjera. Paraqitja e kritereve të licensimit për të gjithë skuadrat që do marrin pjesë në sezonin 2020-2021 në Kategorinë e Parë dhe mënyra e plotësimit të dokumentacionit ishte pika kryesor e seminarit. Afati për plotësimin, dorëzimin dhe protokollin e të gjithë dokumentacionit për Kategorinë e Parë është data 31 Mars. Më pas të gjithë dokumentat e secilit klub i kalojnë ekspertëve të kritereve të cilët bëjnë raportin e tyre.

Në lidhje me semiarin e sotshëm, për FSHF.TV ka folur dhe Menaxheri i Licensimeve, Eduard Gjini. “Pasi përfunduam sëbashku me UEFA-n workshopin me klubet e Kategorisë Superiore, klubet kandidate për të luajtur në kompeticionet europiane, sot zhvilluam një workshop me të gjithë skuadrat e Kategorisë së Parë të cilat duan të marrin pjesë në kampionatin e sezonit të ardhshëm. Natyrisht sipas rregullores, dy nga këto skuadra do të kalojnë menjëherë në Kategorinë Superiore, por duhet të përmbushin disa kritere më shumë për të qënë pjesë e Superiores. Ne sot kemi workshop-in vetëm për skuadrat e Kategorisë së Parë, për mënyrën sesi klubet do të plotësojnë të pesë kriteret, kriterin sportiv, kriterin e infrastrukturës, kriterin e administratës dhe personelin, kriterin ligjor dhe kriterin financiar. Për stadiumet e Kategorisë së Parë ne kemi filluar të rrisim kërkesat në mënyrë që kërkesa e këtyre stadiumeve të përmirësohet. Në 31 Mars përfundon procesi i plotësimit të gjithë dokumentacionit që duhet të paraqesin përpara Sektorit të Licensimit. Të gjithë dokumentat do i kalojnë ekspertëve përkatës. Ekspertët do të përpilojnë raporte të veçanta për secilin klub dhe do të vendosin në dukje aspektet pozitive dhe ato negative, duke nënvizuar nëse ky klub e meriton dhe e merr apo jo licensën për të marrë pjesë në kompeticionin e Federatës Shqiptare të Futbollit”.