Procesi i licensimeve, FSHF takime dypalëshe me klubet kandidate - FSHF

Procesi i licensimeve, FSHF takime dypalëshe me klubet kandidate

Procesi i licensimeve për klubet kandidate për pjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s dhe FSHF-së për sezonin 2020-2021 ka nisur prej javësh, duke u kryer takime dhe trajnime me klubet për mjekësinë sportive, sektorin e të rinjve, marketingun, me objektivin për të pasur një rritje të qëndrueshme të klubeve shqiptare.

Në kuadër të këtij procesi shumëplanësh ku përfshihen shumë detyra për tu realizuar, Menaxheri i Licensimit sëbashku me ekspertët e kritereve kanë realizuar javën e shkuar takime dypalëshe me klubet kandidate për të parë nga afër situatën mbi detyrat e lëna dhe për ti asistuar në plotësimin e dokumentacionit për kriterin sportiv, infrastrukturor, administrativ, ligjor dhe financiar. Klubeve i janë lënë shumë detyra e sugjerime për të përmirësuar dokumentacionin dhe këto procese duhet të raportohen pranë Menaxherit sipas aafateve.

Gjatë këtyre takimeve me klubet është diskutuar dhe për pjesën e komunikimit me publikun, duke i kërkuar më shumë angazhim për informimin e tifozëve mbi skuadrën, akademinë, klubin në tërësi dhe një punë serioze për afrimin e të rinjve dhe femrave në stadiume.

Licensimi për katër kriterët e parë, sportiv, infrastrukturor, administrativ dhe ligjor, përmbyllet më 29 Shkurt 2020, ndërkohë që kriteri financiar që ka edhe peshën më të madhe në dhënien e licensës përfundon në datë 31 Mars 2020.