Prezantohet edicioni i II-të i Akademisë së Arbitrimit në shkollën sportive " Benardina Qerraxhiu", Durrës - FSHF

Prezantohet edicioni i II-të i Akademisë së Arbitrimit në shkollën sportive ” Benardina Qerraxhiu”, Durrës

Është zhvilluar ditën e sotme prezantimi i edicionit të dytë të Akademisë së Arbitrimit, pikërisht në ambjentet e shkollës së mesme sportive “Benardina Qerraxhiu”, në qytetin e Durrësit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka, anëtari i KE, njëkohësisht Presidenti i Shoqatës së Arbitrave, z.Tahir Kastrati, Drejtoresha e Shkollës znj. Alma Oshafi dhe Koordinatori i këtij projekti z.Sokol Jareci.

Në fjalën hapëse Jareci u shpreh: “Jemi për të promovuar edicionin e dytë të Akademisë së Arbitrimit pas një edicioni të parë të suksesshëm ku plot 70 djem e vajza u certifikuan. Duke parë suksesin e vitit të parë menduam ta zhvillonim sërisht.”-ishin fjalët e koordinatorit të projektit.
“Ju falenderoj për pjesëmarrjen dhe respekt për drejtoreshën e shkollës për mikpritjen dhe hapësirën për të zhvilluar një bisedë me nxënësit e kësaj shkolle. Mundësitë për tu bërë arbitre ose arbitër, nxënësit e “Benardina Qerraxhiu”, i kanë të mëdha nga fakti që është shkollë sportive.”-theksoi z.Tahir Kastrati.

Presidenti Armand Duka në fjalën e tij u shpreh: “ Faleminderit të gjithëve për organizimin e sotshëm dhe mikpritjen. Faleminderit ju nxënësve që jeni të pranishëm sot këtu. Jemi sot për t’ju ftuar të bashkoheni me lojën magjike të futbollit. Ne nuk kemi shumë nevojë ta prezantojmë lojën tonë sepse është loja më e bukur në botë. Të bashkohesh me lojën e futbollit duhet ta konsiderosh privilegj, është një shans shumë i mirë, jo vetëm për të luajtur, por tani edhe nëpërmjet arbitrimit. Sport është edhe arbitrimi, është faktor shumë i rëndësishëm në futboll. Fizikisht është sport por mendërisht është më shumë se sport sepse do japësh drejtësi në fushën e lojës dhe të japësh drejtësi në fushën e lojës nuk është e lehtë. Sokol Jareci që kam në krahë, e ka filluar si ju, ka bërë një karrierë shumë të mirë në nivel kombëtar dhe atë ndërkombëtar, kemi edhe vajza që po promovohen ne fushën e arbitrimit. Ne i ftojmë  vajzat të merren me këtë sport apo profesion. E kemi filluar vjet këtë akademi, disa vite më parë ka qenë një trajnim spontan. Arbitrat duhet të edukohen shumë mirë pasi janë një faktor shumë i rëndësishëm për një ndeshje futbolli. Nga viti i parë kemi plot 70 arbitra të cilët kanë kaluar testet dhe aktualisht arbitrojnë. Në këtë edicion të dytë, uroj të mos kemi 70 arbitra por të dyfishohen apo të trefishohen. Sic e tha edhe drejtoresha e shkollës ne kemi këtu edhe arbitre që aktivizohen dhe besoj do të kenë shpjeguar eksperiencën pozitive në futboll. Dua t’ju falenderoj edhe njëherë dhe ju ftoj të bëheni pjesë e Akademisë së Arbitrimit. Duke iu bashkuar sportit më të bukur në botë do ti shërbej shëndetit tuaj dhe të ardhmes suaj.”-ishin fjalët e presidentit Duka.