Presidenti FFK, Agim Ademi, telegram ngushëllimi për humbjen e Miço Papadhopullit - FSHF

Presidenti FFK, Agim Ademi, telegram ngushëllimi për humbjen e Miço Papadhopullit

Federata Futbollit të Kosovës, nëpërmjet Presidentit të saj Agim Ademi, ka ngushëlluar familjen Papadhopuli dhe të gjithë futbollin shqiptar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe legjendës së Partizanit e ekipit Kombëtar, Miço Papadhopulli.

Prishtinë, 16 tetor 2019

E nderuara familje e Miço Papadhopullit!
Të nderuar drejtues dhe dashamirë të KF “Partizani”
I nderuari president i FSHF-së, Armand Duka dhe anëtarë të KE të FSHF-së

Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të legjendës së futbollit shqiptar, ish-presidentit të FSHF-së, Miço Papadhopulli, andaj në këto momente pikëllimi, më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e njeriut që i dha shumë futbollit shqiptar.

Miço Papadhopulli ka lënë gjurmë të mëdha në futbollin shqiptar qoftë si futbollist i Partizanit, qoftë si drejtues i FSHF-së, prandaj vepra e tij do të nderohet përgjithmonë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në trojet e tjera shqiptare.

U prehtë në paqe shpirti i tij!

Me respekt
Agim Ademi, president i FFK-së