PRESIDENTI I FEDERATËS ÇEKE VIZITON FSHF-në - FSHF

PRESIDENTI I FEDERATËS ÇEKE VIZITON FSHF-në

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti sot në një vizitë zyrtare Presidentin e Federatës së Futbollit të Republikës së Çekisë, Martin Malík dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Jan Pauly.

Duke falenderuar presidentin Duka për këtë pritje miqësore, z. Malík shprehu vlerësimin e tij për rritjen që ka pësuar futbolli shqiptar në dekadën e fundit, dhe shprehu mbështetjen e institucionit që ai përfaqëson për Shqipërinë. “Jam i impresionuar nga rritja që ka pësuar futbolli shqiptar në dekadën e fundit. Një punë e mirë dhe arritje të mëdha janë shënuar nga një vend i vogël si Shqipëria. Jemi këtu për të dhënë mbështetjen dhe eksperiencën tonë në procesin e vazhdueshëm të rritjes. Do të bashkëpunojmë ngushtësisht për të arritur suksese të mëtejshme”, theksoi z. Malík në takimin e zhvilluar në ambientet e FSHF.

Presidenti Duka njohu homologun e tij çek me historinë e futbollit shqiptar, zhvillimet që kanë ndodhur dekadën e fundit, arritjet dhe objektivat për të ardhmen, si dhe ndanë mendime mbi strukturën organizative dhe eksperiencën çeke me Ligën e Futbollit. “Për ne është një kënaqësi e madhe që ju sot ndodheni këtu dhe e vlerësojmë kohën që keni gjetur për të na vizituar. Përpara 5 vitesh Shqipëria nuk kishte një stadium për të zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare, sot kemi dy të tillë, në ndërtim e sipër është Arena Kombëtare, që vizituam edhe sot. Po zhvillojmë futbollin e femrave dhe kemi shtrirë futbollin në shkolla kudo nëpër Shqipëri. Do kërkoja ndihmën tuaj për të na asistuar me ekspertë për rritjen e eksperiencës organizative në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar”, u shpreh Armand Duka.