PRESIDENTI I FEDERATËS ANGLEZE VIZITON FSHF-në - FSHF

PRESIDENTI I FEDERATËS ANGLEZE VIZITON FSHF-në

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti sot në një vizitë zyrtare Presidentin e Federatës Angleze të Futbollit, Greg Clarke.

Duke falenderuar presidentin Duka për këtë pritje miqësore, z.Clarke u shpreh i impresionuar nga rritja që ka pësuar futbolli shqiptar në dekadën e fundit, dhe shprehu mbështetjen e institucionit që ai përfaqëson për Shqipërinë. “Jam i impresionuar nga rritja që ka pësuar futbolli shqiptar në dekadën e fundit. Një punë e mirë dhe arritje të mëdha janë shënuar nga një vend i vogël si Shqipëria. Ne do të lobojmë dhe nxisim fort UEFA-n dhe FIFA-n për të kontribuar më shumë për vendet në zhvillim. Sëbashku do të bashkëpunojmë ngushtësisht për të arritur suksese më të mëdha në të ardhmen. Jemi këtu për të dhënë mbështetjen e Federatës angleze dhe për t’iu suportuar në çdo hap tuajin, për të dhënë eksperiencën tonë në procesin e vazhdueshëm të rritjes”, theksoi z.Clarke në takimin e zhvilluar në ambientet e FSHF-së.

Presidenti Duka njohu homologun e tij anglez me zhvillimet që kanë ndodhur në futbollin shqiptar dekadën e fundit, arritjet dhe objektivat për të ardhmen. “Për ne është një kënaqësi e madhe që ju sot ndodheni këtu. Hera e parë që një President i Federatës Angleze vjen në Shqipëri. Futbolli është sporti numër një në Shqipëri, dhe kjo na gëzon por në të njëjtën kohë na shton përgjegjësitë. Në këtë dekadë të fundit futbolli shqiptar ka pasur uljet dhe ngritjet e veta. Ne vlerësojmë shumë mbështetjen e madhe që ka dhënë FIFA dhe UEFA, pa ndihmën e tyre gjithçka që kemi arritur do të ishte shumë e vështirë të arrinim këtu ku jemi sot. Shqipëria përpara 5 vitesh nuk kishte një stadium për të zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare, sot kemi dy të tillë, në ndërtim e sipër është Arena Kombëtare, një projekt tjetër po nisim në Kukës. Kemi investuar në infrastrukturë kudo në Shqipëri, duke mos harruar asnjë moment edhe shtresat e margjinalizuara. Futbolli i femrave filloj 10 vite më parë në Shqipëri dhe sot kemi arritur të krijojmë ekipe kombëtare U-17, U-19 dhe përfaqësohemi denjësisht edhe nga Ekipi A, një gjë për të cilën krenohemi. Në prioritetet tona ka qënë krijimi i Shkollës së Trajnerëve, dhe tashmë disa vite pas ndërtimit të këtij ‘institucioni’ kemi arritur të kualifikojmë dhe licensojmë me qindra trajnerë në të gjitha nivelet, dhe sëfundmi FSHF jep dhe licensën UEFA Pro. Do kërkoja ndihmën tuaj për të na asistuar me ekspertë për rritjen e eksperiencës organizative së klubeve të futbollit”, u shpreh Armand Duka.

Vizita vijoi në Shtëpinë e Futbollit dhe më pas në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku Presidenti i Federatës Angleze të Futbollit, shprehu mbështetjen e tij për kandidimin e Presidentit Duka në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s.