Presidenti Duka uron Kosovën për 4 vjetorin e pranimit në FIFA - FSHF

Presidenti Duka uron Kosovën për 4 vjetorin e pranimit në FIFA

13 Maji i vitit 2016, do të mbahet mend gjatë për bashkëkombasit tanë në Kosovë si një ditë historike për futbollin e tyre. Në Kongresin e 66-të të FIFA-s në Mexico City, plot 141 shtete votuan pro anëtarësimit të Kosovës.
Pasioni dhe dashuria e shumë brezave u bë realitet, kjo falë punës së palodhur të Presidentit të ndjerë Fadil Vokrri, i cili punoi që nga dita e parë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës që shteti më i ri i Europës të anëtarësohej në FIFA dhe UEFA për t’i hapur rrugë zhvillimeve të mëdha në sportin tonë të dashur.

Në këtë ditë historike për Kosovën dhe mbarë futbollin shqiptar, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në emër të gjithë komunitetit të futbollit në vend ka uruar FFK-në nëpërmjet një letre zyrtare.

“I nderuar miku im z. Ademi!

Në vitin e katërt të pranimit të Kosovës në FIFA, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell në emrin tim dhe të gjithë anëtarëve të familjes së futbollit në Shqipëri urimet më vëllazërore për këtë ditë historike për futbollin në Kosovë.
Puna e madhe e bërë nga Presidenti Vokrri dhe ju sot kanë bërë që Kosova të ketë vendin e merituar në arenën ndërkombëtare. Kjo arritje na bën krenar dhe jemi optimistë se do të keni një të ardhme të ndritur përpara, me suksese dhe rezultate të shkëlqyera të cilat do të na gëzojnë shumë.

Marrëdhëniet tona vëllazërore dhe institucionale janë dhe do të jenë gjithmonë në nivelet maksimale të bashkëpunimit. Së bashku do të zhvillojmë projekte të rëndësishme për rritjen e futbollin shqiptar.

Përshëndetje të përzemërta,
Armand Duka
President i FSHF-së”