Presidenti Duka: Shpresat në udhë të mbarë, mbështesim talentet - FSHF

Presidenti Duka: Shpresat në udhë të mbarë, mbështesim talentet

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ndoqi nga afër paraqitjen e ekipit Kombëtar U-21, që mundi të fitojë me rezultatin 3-1 ndaj Andorrës pas një 90-minutëshi emocionues.

Në prononcimin për mediat pas ndeshjes, Presidenti Duka foli për fitoren e Shpresave, por komentoi edhe humbjen e Kombëtares ndaj Lituanisë të hënën e kaluar. Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar theksoi se talentet e reja janë e ardhmja e futbollit shqiptar dhe duhen mbështetur pa kushte.

Gjithashtu, Presidenti Duka  foli edhe për vendimin që ka marrë Liga Profesioniste e Futbollit për të mos e nisur kampionatin e Kategorisë Superiore më 12 shtator.

– President nga një humbje e Kombëtares me Lituaninë te një fitore e Shpresave me Andorrën. Çfarë mund të na thoni për këto dy ndeshje?

– Në fakt të dyja ishin ndeshje të vështira, por në ndryshim nga Kombëtarja të hënën ekipi i U-21 luajti, pavarësisht se ishte në disavantazh, kishte besim dhe ta kthesh ndeshjen është vërtetë karakter.

Kështu që ekipi Kombëtar U-21 është në udhën e mbarë me të dy lojët, në Austri dhe këtu, kurse Kombëtarja A zhgënjeu, jo vetëm me rezultat, por nuk dha gjë në fushë. Nuk mendoj se ishte vetëm lodhja që padyshim ndikoi, por përqendrimi për të vlerësuar çdo lloj kundërshtari, domethënë për t’u kthyer me këmbë në tokë, për ta fituar ndeshjen në fushë dhe jo për ta menduar përpara.

Kjo vetëkënaqësia na penalizoi. Gjithsesi, duhet t’i lëmë mbrapa dhe duhet të shikojmë përpara ndeshjet e tjera dhe  të vazhdojmë të jemi pretendentë për ta udhëhequr grupin. Duhet të bëjmë rezultat pozitiv në Kazakistan dhe në Lituani.

– Sa për lojën që ishte e dobët, a mendoni se ishte loja më e dobët që ju keni parë ndonjëherë të Shqipërisë?

– Jo, nuk mund të them, nuk i ndodh vetëm Shqipërisë, i ndodh rëndom dhe skuadrave, që pas një euforie të mos kenë përqendrimin e duhur. Por që  të jesh skuadër e madhe duhet të kesh përqendrimin e duhur.

Pikërisht për këtë ne nuk jemi skuadër e madhe. Duhet të përqëndrohemi maksimalisht, të japim mbi 100% që të bëjmë rezultat. Nëse hymë në fushë si gjeneralë patjetër që do të dalim të turpëruar.

– Ditën e sotme pati disa të rinj që luajnë në superiore. A do ta mendojë Komiteti Ekzekutiv që ndoshta një ditë t’i shpërblejë klubet për lojtarët që sjellin në kombëtaret e moshave?

– Patjetër, ne i mbështesim talentet. Ata janë fryt i punës së përbashkët i gjithë futbollit shqiptar dhe janë e ardhmja e ekipit të parë. Sot në fushë pamë shumë lojtarë nga kampionati shqiptar të cilët kanë dëshirë për të luajtur dhe japin maksimumin në fushë. Pamë sot mbrojtësin që shënoi gol për herë të dytë, Selmani, vetëm me seriozitet, dëshirë dhe përkushtim maksimal.

– Ju mërzit fakti që kampionati po shtyhet?

– Ne patjetër që na mërzit, sepse duam të shikojmë futboll për ditë jo njëherë në javë. Uroj që kampionati të luhet.

– Nuk ka një vendim akoma?

– Për ne kampionati duhet të luhet pastaj ekipet kanë vendimmarrjen e tyre.