Presidenti Duka nderon Attila Ferenc Galambos me titullin “Përfaqësues nderi i FSHF në Hungari” - FSHF

Presidenti Duka nderon Attila Ferenc Galambos me titullin “Përfaqësues nderi i FSHF në Hungari”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga zëvëndës presidenti Edvin Libohova, zhvilluan ditën e sotme një takim me Ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Lorant Balla dhe Attila Ferenc Galambos, një biznesmen dhe dashamirës i futbollit shqiptar.

Presidenti Duka njohu miqtë hungarezë me projektet që ka dhe po implementon FSHF sot dhe vlerësoi kontributin e Attila Ferenc Galambos në promovimin e vlerave të Shqipërisë në Hungari, duke e nderuar atë me titullin “Përfaqësues nderi i Federatës Shqiptare të Futbollit në Hungari”. Zoti Galambos investon dhe punon në Shqipëri që nga fillimi i viteve 90-të dhe është një ndjekës i rregullt i kombëtares shqiptare të futbollit. Attila Ferenc Galambos u ndal te rritja e futbollin shqiptar gjatë kësaj periudhe dhe u shpreh se ndihet shumë i vlerësuar me këtë titull nderi që i ka akorduar FSHF. “Futbolli shqiptar ëshhtë në rritje të vazhdueshme dhe rezultatet e arritura vitet e fundit nga ekipi kombëtar janë të njohura nga të gjithë. Dua t’ju falenderoj për vlerësimin e bërë me këtë titull, dhe jam shumë krenar që do të përfaqësoj futbollin shqiptar në vendin tim. Do të punoj shumë që të thellojmë bashkëpunimin Shqipëri-Hungari në futboll si dhe do të loboj çdo ditë për të mbajtur lart imazhin e futbollit shqiptar”, theksoi Galambos.

“Ishte një vizitë, e cila rikonfirmon edhe njëherë marrëdhëniet e mira që kemi me Hungarinë dhe Federatën Hungareze të Futbollit. Hungaria është parë gjithmonë nga ne si një model shumë serioz për mbështetjen që i bën sportit dhe futbollit në veçanti. Zoti Galambos do të na ndihmojë shumë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të sjellë eksperiencën pozitive hungareze në vendin tonë”, deklaroi pas përfundimit të takimit presidenti i FSHF-së, Armand Duka.