Presidenti Duka, mesazh me rastin e 2-vjetorit të ndarjes nga jeta të Fadil Vokrrit - FSHF

Presidenti Duka, mesazh me rastin e 2-vjetorit të ndarjes nga jeta të Fadil Vokrrit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka përkujtuar sot 2-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Në mesazhin e tij të rastit, numri një i qeverisë së futbollit u shpreh se vepra e Fadil Vokrrit nuk do të shuhet kurrë dhe se kontributi i tij për anëtarësimin e futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA ka qenë madhor.

“Dy vjet më parë kemi humbur një nga njerëzit kryesorë të futbollit, një figurë kyçe të futbollit shqiptar, Presidentin e FFK-së dhe mikun tim të dashur, Fadil Vokrrin.
Në këto dy vite na ka munguar shumë në të gjitha dimensionet; si drejtues, si futbollist, si mik apo qoftë edhe si familjar në familjen e tij. Gjithsesi, Fadili mungon fizikisht, por vepra e tij nuk do të shuhet kurrë, do të rikujtohet nga të gjithë ata, të cilët e kanë njohur nga afër, nga të gjithë ata të cilët e kanë parë si futbollist apo e kanë njohur si drejtues të Federatës së Kosovës. Jam shumë i bindur që kishte shumë për të bërë dhe do të bënte shumë për futbollin kosovar për zhvillimin e tij. Pavarsisht gjithë arritjeve që pati në karrierën e tij, merita e tij kryesore ishte padyshim anëtarësimi i FFK-së në UEFA dhe FIFA, gjë të cilën futbolli i Kosovës po e përjeton çdo ditë në zhvillimin e tij”, – tha Presidenti Duka.