Presidenti Duka merr pjesë në promovimin e Akademisë Europiane të Futbollit (VIDEO) - FSHF

Presidenti Duka merr pjesë në promovimin e Akademisë Europiane të Futbollit (VIDEO)

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e promovimit të Akademisë Europiane të Futbollit, një akademi private e ngritur në ambientet e Kompleksit Cara në Arbanë të Tiranës.

Investimi te futbolli fëmijëve dhe futbolli femrave është në qendër të politikave të Federatës, dhe në fjalën e tij Presidenti Duka u ndal te nevoja për të mbështetur të tilla investime. “Gjëja më e rëndësishme për të siguruar të ardhmen e futbollit është të investosh te fëmijët, në infrastrukturën ku ata do të stërviten, investimi për të kualifikuar trajnerët dhe për të afruar sa më shumë fëmijë në futboll. Të gjitha këto janë të lidhura bashkë për të pasur sa më shumë fëmijë që luajnë futboll, duhet të kesh trajnerë të mirë, infrastrukturë të përshtatshme. Realisht ne nuk jemi në kushtet optimale që kërkon Shqipëria dhe tifozeria shqiptare për sa futboll ne duam. Ka përpjekje, ka bashkërendim. Ky është një nga shembujt më pozitiv në vend sepse është një investim i gjithi privat goxha i rëndësishëm, në të cilin stërviten shumë fëmijë dhe skuadra profesioniste. Nëse duam të kemi investime të tilla, duhet të kenë incentive dhe politika që ti shtyjnë këto lloj investimesh sepse janë të mundishme për të kthyer investimin mbrapsh. Shpresojmë që nëpërmjet ndryshimit të paketës ligjore për sportin këto lloj investimesh të përkrahen më shumë nga shteti duke u përjashtuar nga taksat dhe mbështetur. Federata Shqiptare e Futbollit e ka prioritet kryesor futbollin e fëmijëve dhe futbollin e femrave, shoqëruar me mbështetjen në infrastrukturë dhe masivimin që kalon nga një sistem licensimi që vit pas viti forcohet në kritere për të pasur një futboll sa më të zhvilluar”.

Akademia Europiane e Futbollit nën drejtiimin e Arben Arkaxhiut ka ngritur ekipe nga U-7 deri te skuadra U-19 duke mbuluar të gjithë moshat. Lojtarët stërviten në 3 fusha që përmban kompleksi, një fushë me përmasa standarte me bar natyral dhe dy fusha me bar sintetik.