Presidenti Duka merr pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, takime me Presidentin e Sllovenisë dhe Kryebashkiakun e Lubjanës - FSHF

Presidenti Duka merr pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, takime me Presidentin e Sllovenisë dhe Kryebashkiakun e Lubjanës

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ka marrë pjesë në takimin tre ditor që u zhvillua në Lubjanë nga data 21 deri në 24 Shtator.

Gjatë qëndrimit tre ditor në Slloveni, Presidenti Duka dhe të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv janë pritur në një vizitë kortezie nga Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ku është folur për zhvillimin e futbollit dhe rëndësinë që sporti ka për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme në çdo aspekt. Një takim tjetër i rëndësishëm, ishte ai me Kryetarin e Bashkisë së Lubjanës, Zoran Janković, i cili i uroj anëtarëve të qeverisë së futbollit europian, mirëseardhjen në qytetin që ai drejton. Ditën e hënë, Presidenti Duka ndoqi ditën e parë të javës UEFA Grassroots, në një ceremoni që u zhvillua në prani të Presidentit Ceferin, anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv dhe figurave të mëdha të futbollit europian.

Ditën e sotme, po në Lubjanë, u zhvillua mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv ku u diskutua në lidhje me futbollin e të rinjve dhe atë amator, politikat e kujdesit ndaj fëmijëve, strategjinë anti-pirateri, merkato e verës në futbollin europian dhe shumë pika në lidhje me funksionimin e brendshëm të UEFA-s. Presidenti Ceferin lançoi programin e UEFA-s për Futbollin në Shkolla, për të cilin nga viti 2020 deri në vitin 2024 do të akordohen 11 milionë euro dhe është i hapur për 55 federatat anëtare. Ky projekt vjen pas suksesit që kishte projekti pilot në gjashtë federata, Shqipëri, Azerbajxhan, Gjeorgji, Maqedoni e Veriut, Irlandë e Veriut dhe Rusi, projekt i cili nisi në vitin 2017.

Në të njëjtën kohë UEFA përcaktoi edhe vendin ku do të zhvillohen finalet e kompeticioneve me të rëndësishme:

Finalja e UEFA Champions League 2021 do të zhvillohet në Shën Petersburg
Finalja e UEFA Champions League 2022 do të zhvillohet në Mynih
Finalja e UEFA Champions League 2023 do të zhvillohet në Londër (Uembli)
Finalja e UEFA Europa League 2021 do të zhvillohet në Sevija
UEFA Super Cup 2021, do të zhvillohet në Belfast
UEFA Futsal EURO 2022 – Hollandë
UEFA U-17 Championships – Qipro 2021; Izrael 2022
UEFA U-19 Championships – Rumani 2021; Sllovaki 2022
UEFA Women’s U-17 Championships – Ishujt Faroe 2021; Bosnje-Hercegovina 2022
UEFA Women’s U-19 Championships – Bjellorusi 2021; Republika Çeke 2022