Presidenti Duka: Ligji i sponsorizimit duhet bërë për fëmijët tanë, për të gjithë sportin

Liga Profesioniste e Futbollit ka organizuar sot një konferencë për mediat ku ka prezantuar propozimet e saj për ligjin e sponsorizimit si edhe kërkesat e tjera të Ligës drejtuar Kryeministrit. Para medias ishin Kryetari i Ligës, Edvin Libohova, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Drejtori Juridik i FSHF-së, Aldi Topçiu.

Në nisje të konferencës, Kryetari i Ligës, Libohova shpjegoi edhe thelbin e kërkesave të klubeve dhe theksoi faktin se nga këto ndryshime ligjore përfiton i gjithë sporti shqiptar.

“Pas takimit të ditës së hënë që Liga zhvilloi me të dërguarin e posaçëm të Kryeministrit, z. Fidel Ylli, lidhur me problemet që ka shtruar Liga në letrën drejtuar Kryeministrit, siç dihet u ra dakord që Liga të përgatisë gati një material shpjegues, të plotë në mbështetje të kërkesave tona. Një grup pune i përbërë nga ekspertë ka punuar këto ditë dhe ka përgatitur një kornizë të plotë me propozime konkrete se si duhet të jetë legjislacioni në mbështetje të sportit dhe jo vetëm futbollit. Zemra e paketës ligjore është Ligji i Sponsorizimit pa përjashtuar edhe faktorët e tjerë. Ligji bazë i Sponsorizimit do të ndihmojë në zhvillimin, në fuqizimin dhe në mbështetjen e sportit që sporti të zërë vendin që i takon në një ekonomi të zhvilluar, në një shtet demokratik”, – tha Libohova.

Më tej, fjalën e mori Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili analizoi 4 kërkesat që i kanë bërë qeverisë, duke i sqaruar me detaje e duke u ndalur veçanërisht te propozimet për ligjin për sponsorizimit, por edhe te përfitimet që do të ketë sporti shqiptar në përgjithësi dhe fëmijët në të ardhmen.

“Ne kemi bërë 4 kërkesa dhe kryesorja nga këto është Ligji për Sponsorizimin, siç e thashë që qeveria të shprehë një vullnet. Deri sot nuk ka legjislacion fiks për të zhvilluar, nuk ka një strategji aq më pak, nuk ka një institucion për sportin në Shqipëri. Nga këto katër kërkesa që ka bërë Liga, e para dhe më e rëndësishmja është Ligji i Sponsorizimit. Nëpërmjet tij ne tentojmë që të aktivizojmë biznesin shqiptar në sport, që atraksioni që mund t’i japë sporti biznesit, të ketë mundësi që të gjenerojë disa para për të rritur cilësitë sportive, për të rritur masivitetin, për të përmirësuar infrastrukturën dhe pse jo këto të kthehen shumë më shumë në buxhetin e shtetit në të ardhmen. Siç e thashë edhe në fillim, përpjekjet tona nuk kanë filluar sot dhe Liga nuk mori një vendim për bojkot pa pasur një lëvizje të mëparshme”, – tha Presidenti Duka, duke shtuar se që në vitin 2016, kur Shqipëria pati sukses dhe mori pjesë në Europianin e Francës, vëmendja për sportin dhe për futbollin kryesisht u bë akoma më e madhe dhe pikërisht në atë kohë edhe vetë politika dukej sikur kishte vullnetin për të bërë ndonjë gjë më tepër.

Propozimet për ligjin e sponsorizimeve – “Kemi propozuar dhe kemi bërë disa projektligje të përafërta me këto që ka kërkuar Liga sot, por mbase edhe pak më shumë. Nuk i bëmë vetëm ne, kemi marrë specialistët më të mirë në Shqipëri, kemi marrë specialistë edhe nga jashtë Shqipërisë, qoftë edhe nga vende që kanë legjislacion më të përparuar për zhvillimin e sportit siç është Hungaria dhe i kemi paraqitur në kabinetin e Kryeministrit, i cili ka autorizuar patjetër zyrtarët e Kryeministrisë për të diskutuar me ministritë e linjës. Ky propozimi nuk duhet të vijë nga një Federatë Futbolli, duhet të vijë prej tyre, por përderisa Shqipëria nuk ka një Ministri Sporti detyrimisht ka ndodhur kështu. Janë rrëzuar të gjitha në atë kohë dhe, kemi vazhduar diskutimet dhe në Komisionin e Ligjeve kemi pasur një diskutim ku kemi qenë të ftuar, jo vetëm Federata e Futbollit por edhe Federata të tjera, që ligji i sportit nuk është i mjaftueshëm për të zhvilluar sportin. Ligji i Sportit pa dyshim që duhej përmirësuar, por për t’i hapur rrugë zhvillimit të sportit duhen përmirësuar disa ligje të tjera.

Pikërisht ky Ligji i Sponsorizimit që ne propozojmë sot dhe disa ligje të tjera fiskale. Më vonë në 2019, siç edhe jeni të informuar, u organizua një tavolinë e përbashkët me iniciativën e Kryeministrit me përfaqësues kryesisht të sportit dhe politikës. U premtuan këto ndryshime dhe i vetmi ndryshim që ndodhi ishte ndryshimi i Kodit Penal për të penalizuar me heqje lirie ato që shkelin fushën e lojës që nuk sjell ndonjë zhvillim të madh në futboll apo në sport. Dhe u ndryshua edhe tatimi mbi të ardhurat e sportistëve, me argumentet për ta formalizuar atë për ta bërë zero për një periudhë dyvjeçare që për ne konsiderohet periudhë e shkurtër.

Në vitin 2019 gjithashtu është përmirësuar apo amenduar Ligji për Sponsorizimet, që ekziston në Shqipëri që nga viti 1994. Nga viti 94’ deri në vitin 2019 ky ligj ka prodhuar 0 lekë për sportin në Shqipëri apo për çdo lloj aktiviteti tjetër. Duke qenë se ka prodhuar zero lekë nuk ka se si amendimi i bërë në 2019 të prodhojë. Kam dëgjuar specialistë qoftë edhe të nivelit të lartë të qeverisë shqiptare që thonë 55 për qind privati, e 45 për qind shteti. Do të njihet si tre herë shpenzim i zbritshëm, por trefishi i zeros sjell zero. Nuk mund të presim dhe të themi pas 10 vjetësh, a ju thashë që do ishte zero. Sepse sporti shqiptar pret që të zhvillohet, nuk është tekë e një sportisti, por është dëshirë e të gjithë popullit që të ketë një sport masiv, të ketë një sport cilësor dhe pse jo dhe garues. Ligji aktual, nëse do hymë në teknikalitete ka dhe gjëra të tjera, por ajo që është më e rëndësishme është që nuk ka prodhuar gjë dhe nuk do prodhojë gjë.

Në këto kushte ne propozojmë dhe ia kemi kërkuar qeverisë edhe në tavolinat që janë bërë gjatë këtij viti, nga marsi i 2019 deri sot, pavarësisht se kemi qenë të pasuksesshëm. Ligji që ne propozojmë është i thjeshtë, i prekshëm dhe jep rezultat. Nuk do të japë rezultatin maksimal, padyshim që do kohën e vet, por jep rezultat. Nuk është shpikje, është njëlloj kopje e fqinjëve tanë, mos shkojmë më larg. Ne i kemi propozuar qeverisë dhe mund të heqim dorë nga kjo që themi sot nëse qeveria pranon propozimin tonë të parë, ligjin hungarez, por është konsideruar si një ligj që do të gjenerojë shumë para. Atëherë propozojmë ligjin e Kosovës, ligjin e Maqedonisë, që janë e njëjta gjë. Që do të thotë, 30 për qind e tatimit të bizneseve të ketë të drejtë të shkojë për sponsorizim. Kjo nuk do të thotë që i gjithë 30% i tatimit të buxhetit shqiptar do të sponsorizohet në sport.

Sipas shifrave të 2020, tatimi mbi fitimin në buxhetin e shtetit është 280 milionë euro. Ne propozojmë, që jo i gjithë tatimi, por vetëm 30% e tatimit të bizneseve që prodhojnë më shumë sesa 20 milionë lekë të reja fitim dhe kjo shifër në buxhetin e shtetit shqiptar të parashikuar të këtij viti, që ka gjasa të mos realizohet është i barabartë me 165 milionë euro. Dhe 30% e tij është një vlerë maksimale 50 milionë euro. Kjo është një vlerë ideale, që do të thotë i gjithë 30% të realizohet. Nuk ndodh që ky 100% të realizohet, as në rastin më të mirë. Por maksimalja që mund të arrihet është 60% e tij që është e barabartë me 30 milionë euro. Por kjo jo vitin e parë, vitin e parë nëse arrijmë 10% të shifrës do të jemi të suksesshëm, vitin e dytë 20 % deri sa të shkojmë te 60%. Dhe ky buxhet që mund të parashikohet maksimalisht 30 milionë euro, ne mendojmë që duhet të shpërndahet në 3 kolona, 50 për qind të jetë për infrastrukturë sportive, 25 % të jetë për sportin e bazës dhe fëmijëve dhe federatat jo elitare dhe 25% për sportin elitar.

Klubet e Superiores të marrin deri në 50 për qind të mesatares së buxhetit të përcaktuar nga komisioni. Nëse është 400 mijë euro mesatarja e buxhetit, vetëm 200 mijë euro mund të marrin klubet. Ligji është për të gjitha sportet. Superiorja ka zgjedhur ta sjellë në vëmendje. Jam kundër bojkotit, por nuk ka gjetur rrugë tjetër. Uroj të zgjidhet. Nuk duhet ngjyrosur politikisht. E dëgjova Ministren e Financave dhe më erdhi keq për arsyetimin e saj. Ajo nuk mund ta shohë futbollin si armik. Futbolli është i të gjithëve dhe nuk mund të thotë që nuk e sponsorizon njeri”.

Përfitimet për fëmijët – “Ligji duhet bërë, për fëmijët tanë. Harrojini interesat politike. Presidentët kanë deklaruar se po ta bëjnë këtë ligj, edhe mund ta votojnë maxhorancën e sotme. Rikthimi i garës? Ndërprerja nuk është e mirë as një orë. Fakti që kemi ardhur këtu dhe na sjellë në këtë pikë do të thotë që bojkoti nuk është edhe aq keq.

Ndryshimet janë të domosdoshme. Diskutimet janë të ndryshme. Për të minimizuar problemet, duhet që të bëjmë këto ligje. Ligji nuk sjell begati, por hap rrugë zhvillimi. Në të ardhmen do bëhen edhe ndryshime të tjera për ta zhvilluar sportin. Dëshira është të realizohet. Nëse rrimë në mendimet e servilëve, nuk arrijmë dot gjë. Nëse mendojmë me dashamirësi, ky ligj duhet të ishte miratuar. Është ligj për komunitetin, për fëmijët. Nuk është për presidentët, po të ishte për një individ do të ishte miratuar brenda natës.

Na u kërkua relacioni dhe ja ku është. Nëse duam ta zvarritim, atëherë është çështje tjetër. Fidel Ylli në takimin e bërë e pranoi se kërkesat janë të drejta. Çfarë po kërkojmë? Po kërkojmë sa Kosova, sa Maqedonia? Jemi 90 vite shtet më shumë. Buxheti për sportin është 700 mijë euro, ata japin 12 milionë euro. Nuk jemi 12 herë më keq se Kosova. Sporti i ka të domosdoshme. Kjo qeveri ka financuar, por së bashku me ne. Madje kemi ne më shumë nga të gjitha projektet. Ne duam të sforcohemi të gjithë. Kjo nuk ia heq qeverisë përgjegjësinë të ketë buxhete të tjera për sportin. Ka plot modele që të bëhet diçka për sportit, jo të varet nga humori i qeverive. Kjo është diçka që mund të jetë si një minimum jetik”.

Përgjegjësitë e qeverisë – “Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Mundohen të hedhin baltë mbi sportin, por janë disa gjëra të vërteta. Ka edhe suksese. Ato që janë negative nuk rregullohen pa përmirësime ligjore. Thuhet që nuk paguhet, por modestisht ju them që sot Superiorja paguan 500 milionë tatime. Nuk është e gjitha informale, por duam idealen. Duam që sikur ishim në Europë përpara, të jemi edhe këtu përpara.

Ironia e fatit është se edhe zëvendësministri i Sportit ka kërkuar një ligj të përafërt me ne dhe u hodh poshtë. Takimet tani janë të kota, pasi ne i kemi thënë të gjitha. Qeveria duhet ta bëjë. Nuk duhet ta marrë si presion, por si përgjegjësi që duhet ta marrë përsipër.

Nëse sot merr sporti 30 milionë euro, ajo shumë do të kthehet edhe më e madhe në buxhet në të ardhmen. Sporti sjell shumë të mira. OBSH e ka thënë nga studimet e saj që një lek i sponsorizuar në sport, kthehet katër herë mbrapsht”.

Kërkesat e Ligës – “Ne duam ta formalizojmë sportin. Janë të përcaktuara shpenzimet, nga biletat, nga reklamat, nga sponsorizimet. Të bëhen aq, ndryshe është e vështirë. Bujqësia është jetike, sporti i domosdoshëm. Sa i takon gjobave dhe kamatave, janë tre klube që i kanë krijuar ndër vite. Nuk themi që të mos i paguajnë detyrimet. T’i paguajnë, por qeveria t’u falë gjobat dhe kamatëvonesat. Më pak se 1 milion euro është dëmi. Nëse kjo është pika që i vret ata, le të mos e bëjnë atë. Por le ta bëjnë Ligjin e Sponsorizimit. Në këtë gjendje as nuk i mbajmë dot lojtarët, jo më të sjellim cilësorë. Po e shohim si po ikin në Kosovë. Për këtë, këtë periudhë tatimi mbi pagën të bëhet zero të zgjatet me më shumë se dy vite. Nuk duan as këtë, le të bëjnë ligjin e Sponsorizimit”.