Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur gjatë për kërkesat e komunitetit të futbollit në vendin tonë dhe për vendimin që Liga Profesioniste e Futbollit ka marrë për të bojkotuar kampionatin.
I ftuar në emisionin “Java” në RTSH, Presidenti Duka shpjegoi edhe njëherë rëndësinë e këtyre kërkesave dhe domosdoshmërinë e tyre për të gjithë sportin në Shqipëri.
Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit foli edhe për rifillimin e kampionatit të Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë si dhe për futbollistët e ftuar nga trajneri Reja në prag të ndeshjeve që kombëtarja do të zhvillojë në .
– Dëshiroj t’ju uroj mirëseardhjen në studion tonë për herë të dytë zoti Duka në një studio të re. Jeni i pari i ftuar që përuroni këtë studio dhe uroj që të jeni me këmbë të mbarë dhe për emisionin tonë. Dëgjuam edhe editorialin e kolegut Vangjeli, “Të gjithë kundër Edi Ramës”, tashmë edhe futbolli kundër qeverisë mund të themi, por ju do ta sqaroni më mirë. Doja t’ju bëja një pyetje jashtë teme, Vangjeli e paraqiti këtë aleancën e gjerë kundër Ramës si një gjë që atij i përshtatet. Vërtetë e mendoni dhe ju kështu? Si ia del ai që me tërë kundër të vazhdojë të ecë?
– Dua t’ju uroj për studion e re dhe të uroj që nga kjo studio të dalin mendime pozitive, lajme pozitive dhe gjëra pozitive për këtë shoqëri, që ka kaq shumë nevojë sidomos në vitet e fundit. Nuk e shoh të paktën këtë të futbollit, vetëm nëse do ta shihja në gjuhën e ndonjërit afër qeverisë por “hë mo dhe këto na u deshën”.
Por kjo nuk është një kërkesë apo luftë e futbollit kundër Ramës apo kundër qeverisë, por është thjesht një kërkesë e një komuniteti sportiv për të plotësuar nevojat e veta dhe për ta zhvilluar atë. E sheh këtë si një domosdoshmëri, jo luks, por si një domosdoshmëri mbijetese për sportin në Shqipëri. Po të shohim zhvillimet e sportit në 30 vitet e fundit janë zhvillime pothuajse spontane apo nga dëshira apo vullnete individësh dhe jo nga nga një strategji shtetërore e mirëfilltë.
Dhe kjo, jo si një mungesë strategjie e Ramës apo e qeverisë Rama, por mungesë strategjie të mirëfilltë të të gjithë politikës shqiptare në këtë tranzicion të tejzgjatur, sidomos në sport. Nëse do t’i hyjmë analizave jo shumë të thella nuk kemi se ç’prekim, as strategjitë, as buxhetet, as politikat as në fund të fundit drejtimin shtetëror të sportit në Shqipëri, asgjë nuk i përshtatet vetë dëshirës së shqiptarëve për sport dhe asgjë nuk i pështatet organizimit të një qeverie të përafërt apo të një vendi tjetër.
– Zoti Duka, ju vetë me kryeministrin Rama keni një marrëdhënënie tipike tifozësh. Duheni kur fitoni, sherr kur humbisni. Në kohë normale thoni që futbolli është një organizëm i pavarur, sot ju trokisni në derën e qeverisë dhe kërkoni të ndërhyjë te kjo…
– Në asnjë rast ne nuk kemi trokitur në derën e qeverisë. Thashë edhe një herë, nuk kërkohet luks, kërkohet një gjë që duhet ta bëjë apo një përgjegjësi që duhet ta bëjë çdo qeveri, sepse futbolli është një pjesë e shoqërisë shqiptare, është një pjesë edhe e ekonomisë shqiptare për të cilën qeveria nuk mund të heqë veten nga përgjegjësitë dhe nuk mund të thotë as për mburrje ndonjë anëtar i kabinetit që në futboll ka një, dy, tre apo katër probleme.
Në fund të fundit, edhe një Federatë vendoset nga vendimi i qeverisë për të marrë emrin Federatë. Kështu që çdo gjë, çdo politikë apo strategji e një vendi bëhet nga qeveria apo parlamenti respektiv. Organizimi i brendshëm i një aktiviteti, apo i aktiviteteve, jo vetëm të një Federate, por edhe i disa institucioneve të tjera në çdo vend është i pavarur.
– A është thirrur edhe futbolli, si çdo segment tjetër i jetës së shoqërisë në apel për të bërë sakrificë?
– Futbolli i ka bërë sakrificat e tij. Nëse e gjithë shoqëria shqiptare (mbase gaboj kur them e gjitha), kishte ndonjë mbështetje nga qeveria shqiptare, futbolli pati mbështetje zero nga qeveria, qoftë në kohë pandemie edhe më vonë. Njerëzit e futbollit janë ironizuar dhe nuk janë parë kurrë, as si kontribues të përmirësimit të jetës së vendit, as si kontribues të taksave të këtij shteti apo si pjesë e këtij shteti. Kështu që nuk është se është një e keqe e shtuar futbolli pas pandemisë por është si një vazhdimësi e gjithë kësaj periudhe dhe së fundmi është kjo që ne diskutojmë sot, ato kërkesa që ne kemi bërë dhe ato kërkesa që Liga Profesioniste ka shkuar deri në bojkot për realizimin e tyre.
Nuk janë kërkesa të këtij viti, janë kërkesa të shumë viteve me radhë dhe janë mospërmbushje, janë detyra të qeverisë. Duhet të kishte ndërhyrë qeveria me kohë. Dhe premtime madje, të qeverisë dhe të Kryeministrit. Është e vërtetë, këto betejat e komunikimeve publike me Kryeministrin nuk fitohen, por ne nuk kemi hyrë këtu për të fituar betejat e komunikimit publik me Kryeministrin, nuk kemi hyrë këtu për të ndarë llogoret se kush do fitojë, por këtu do të fitojmë të gjithë. Nëse do bëjmë një të mirë për sportin, do fitojë Kryeministri, ti, unë, të gjithë do fitojmë.
– Nuk është dëgjuar që të bojkotohet në asnjë vend të Europës mesa di unë kampionati nga Liga Profesioniste dhe nga gjithë klubet. Telegrafikisht cilat janë kërkesat bazë edhe njëherë?
– Këtu ndahemi nëse në kulturën time jam për bojkot apo për disiplinën apo për negociime. Jam personalisht gjithmonë, që çdo gjë duhet të zgjidhet me debat, me tavolinë, me negociata, mund të gjendet gjuha e përbashkët. Por kjo, siç nisa ta them, nuk është se ne nuk e kemi provuar dhe nuk e kemi tentuar.
Nëse do fillojmë që rreth 5 vite më parë, unë e kam përsëritur disa herë dhe të gjithë specialistët e futbollit, ne kemi parashtruar ato ndryshime ligjore të domosdoshme për zhvillimin e sportit në Shqipëri. Madje, vetë Kryeministri na ka kërkuar se çfarë mendoni ju, çfarë ndryshimesh ligjore duhen bërë për të përmirësuar apo për të ndihmuar zhvillimin e sportit. Procesi legjislativ ka filluar që në 2016-n, por nuk janë marrë parasysh ato që ne kemi propozuar dhe asnjë ndryshim nuk është bërë esencial që do të ndihmonte vërtetë zhvillimin e sportit. Ka vazhduar ky process deri në 2019-n në një tavolinë, në mars 2019 ku Kryeministri në bashkëbisedim me të gjithë aktorët e sportit dhe të qeverisë i premtoi këto ndryshime ligjore.
Kaluan shumë ditë, megjithëse ka shumë njerëz poshtë Kryeministrit, të cilët me demagogji apo lojë fjalësh duan të thonë që kemi bërë diçka, por në fakt nuk kanë bërë asgjë. Në shtator të vitit të kaluar, aktorët e futbollit duke qenë të zhgënjyer nga mosrealizimi i kërkesave donin të shkonin në bojkot, por në një lloj negociate me qeverinë u tha se disa nga këto kërkesa do të bëhen dhe loja duhet të vazhdojë. Këtë vit, në një lloj mënyre, drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore kërkuan që këto kërkesa të zgjidhen ose ne nuk kemi si të luajmë. Këto kërkesa nuk mund të merren si lojë fjalësh, është çështje mbijetese.
Kjo është një ekonomi e cila duhet të prodhojë. Sipas bazës ligjore që ka sot, e ka të pamundur të mbajë veten. Nëse krijohet një shtrat i mirë ligjor, atëherë këto klube do të bëhen produktive dhe pse jo në fund të bëhen dividentë për drejtuesit e tyre.
Kryesore nga kërkesat është ligji i sponsorizimit që tenton të krijojë një buxhet të sigurt për sportin shqiptar pavarësisht nga vendimet apo nga dëshirat e qeverive vit pas viti. Sot buxheti për sportin në Shqipëri është rreth 700 mijë euro, rreth 20 herë më i vogël se i Kosovës. 700 mijë euro për të gjithë sportin, nga të cilat futbolli është zero dhe nëse miratohet ky ligj i sponsorizmeve nuk bëhet fjalë për ndonjë dhimbje koke të madhe të parlamentit, bëhet fjalë për një kilometër rrugë në vit, ose më pak se një kilometër rrugë. Sport pa asnjë mbështetje nuk mund të kemi. Do kemi sport spontan, do kemi mbase hapa përpara me centimetra në ndonjë lojë siç është futbolli, do kemi të njëjtin rezultat të zhdukjes së sporteve që ju i dini, pothuajse inekzistentë, siç janë, volejbolli, atletika, çiklizmi, mundje, peshëngritje apo boks. Qeveria mund të marrë edhe vendimin që mos të kemi sport fare.
– Shumë specialistë vlerësuan se ajo paraqitje jo shumë e mirë e bardhebluve kundër Young Boys ishte dhe për shkak se nuk kishin lojtarët një formë të mirë fizike për shkak se kanë munguar ndeshjet zyrtare. Ndiheni ndopak fajtor për këtë gjë?
– Tirana, nëse do kishte luajtur dy ndeshje në javë, do thuhej se ishte e lodhur prandaj humbi; Tirana nëse do ishte eliminuar që në ndeshjen e parë, prapë do gjenin disa arsye pse u eliminua, por për mua, Tirana ishte sukses që shkoi deri në Play-Off. Është një sukses që nuk ka është përsëritur shpesh në Shqipëri, ka ndodhur vetëm një herë kur Skënderbeu pas play-off-it është kualifikuar dhe e dyta është Tirana. Dhe unë do ta shihja më shume si sukses të futbollit, si ato pak suksese që ka sporti në Shqipëri.
– Ndalimi i kampionatit e dëmton futbollin?
– Absolutisht që dëmton, kjo nuk është një gjë e mirë, sepse futbollistët janë për të luajtur futboll, dëmton formën e tyre, dëmton edhe ata tifozë të cilët duan ta shohin futbollin. Por ky është një vendim ekstrem i drejtuesve të Ligës për ta sjellë këtë çështje në qendër të vëmendjes dhe për ta diskutuar dhe për të vlerësuar hallet e tyre. Gjatë këtyre viteve, gjatë bisedave, debateve, diskutimeve dhe negociatave nuk është arritur një rezultat real.
– Pse shkuat menjëherë në ekstrem, te bojkoti, nuk kishte ndonjë zgjidhje më të mirë?
– Padyshim që nuk shkuam menjëherë në bojkot, padyshim që nuk është ky një vendimi i imi, por i presidentëve të Kategorisë Superiore, sepse janë bërë disa biseda dhe takime dhe takimi i fundit ka qenë ai me Kryeministrin dhe u premtuan, jo vetëm këto katër pika, që janë sot në kërkesat e Ligës, por edhe 8 të tjera.
Por Liga për t’i kërkuar një shprehje vullneti pozitive qeverisë i ka sinkronizuar në katër pika. Pas atij takimi, është bërë një grup pune nga një person i emëruar nga kryeministri dhe janë bërë shumë takime në nivel ekspertësh, drejtuesish në të cilat kam marrë pjesë unë, kryetari i Ligës, ekspertët tanë, kemi sjellë ekspertë dhe nga jashtë Shqipërisë me kërkesë të grupit të punës.
Kemi bërë debate apo negociata me Ministrinë e Financave, me kryetarin e Komisionit të Ekonomisë të asaj kohe, Arben Ahmetaj. Janë konsumuar të gjitha këto. Dhe këto nuk kanë dhënë rezultat të gjitha, nuk janë parë me seriozitetin e duhur mbase.
– Kryeministri tha në fillim të kësaj jave, askush nuk mund të më shantazhojë mua dhe kishte parasysh bojkotin e kampionatit…
– Unë nuk e konsideroj shantazh. Një komunitet që të kërkojë disa ndryshime për të mirën e vetë komunitetit, për zhvillimin e tij dhe nëpërmjet tij, të një të mire pubike, që është loja e futbollit, nuk e konsideroj shantazh.
Askush nuk duhet ta konsiderojë lojë cubash, por duhet ta konsiderojë se çfarë mund të zgjidhë për të mirën e komunitetit. Duhet marrë thelbi, që është kërkesa që bën komuniteti sportiv. A janë apo jo të drejta?
Unë dëgjoj të artikulohet nga të gjithë dërguarit e Kryeministrit dhe i fundit apo i ngarkuari ishte z. Fidel Ylli, i cili është deputet që ka shkuar në parlament nga komuniteti sportiv dhe tha se këto 4 kërkesa janë të drejta të paktën në mbledhjen e Ligës. Madje sipas z. Ylli janë edhe 40 të tjera, por ishte i mendimit që bojkoti nuk duhet të vazhdojë, por këto do zgjjidhen. Koha ka qenë dhe vazhdon të jetë e mjaftueshme, të jepet një shenjë pozititive, të miratohen ose jo dhe nëse i jepet një lloj klime pozitive, pse jo mund të kthehemi dhe të luajmë.
– Deri ku jeni ju të gatshëm të lëshoni dhe deri ku prisni ju që të afrohet qeveria?
– Nëse do ta konsideroj fuqiplotë të deleguarin e Kryeministrit dhe unë e kam takuar privatisht para se të ishte në takim në mbledhjen e Ligës, më ka garantuar që këto janë kërkesa të drejta dhe bashkarisht duhet që të bindim qeverinë shqiptare për t’i realizuar ato dhe të njëjtën gjë tha dhe në mbledhjen ku ishte i ftuar dhe në këtë frymë, besoj ditën e hënë nëse është lënë një takim i tillë, uroj se do të ketë një zgjidhje pozitive. Nuk është lënë një takim me ne, mund të jetë lënë takim me ekspertët e Ministrësë së Financës nga z.Ylli.
– Z. Duka, futbolli në përgjithësi është alergjik ndaj politikës. Por a duket sikur futbolli të paktën në Shqipëri, edhe në kohën që po ndodh një gjë e tillë, është i ndikuar disi nga politika. Më lejoni të kaloj në emra të përveçëm, vëllai juaj është kryetar i një partie shumë serioze opozitare që garon në zgjedhje që janë në prag; një nga drejtuesit e PD është sërish pjesë e vendimmarrjes së Federatës; një tjetër kryetar partie si z. Kokëdhima është pjesë e delegacionit tuaj; apo për të shkuar edhe në krahun tjetër, vëllai i vetë kryeministrit është drejtor sportiv i një klubi të dorës së parë…
– Kemi edhe një presidenti klubi që është edhe kryetar partie edhe përfaqësues politik i PS-së në Kukës. Atëherë çfarë të themi, që Safet Gjici dhe Olsi Rama, janë kundër Kryeministrit? Në asnjë mënyrë jo. Por ato mbrojnë interesat e komunitetit ku bëjnë pjesë, qoftë Gjici, Rama apo edhe të tjerë. Individët patjetër që do kenë simpati politike. Të gjithë ne kemi simpatitë tona kur shkojmë në kutitë e votimit. Por në këtë rast, ne jemi në mbrojtje të interesave të futbollit, qoftë Gjici, qoftë Kokëdhima apo të tjerë. Të gjithë janë shprehur pro bojkotit, sepse janë pyetur një nga një.
– Kur parashikohet një zgjidhje, kur do luhet futboll në Shqipëri?
– Ato kërkesat shumë mund t’i kundërshtojnë. Nëse do pyesësh ekspertët për politikat, nuk i bëjnë ekspertët apo specialistët e vegjël, politikat i bëjnë liderat, dhe lideri nëse vendos kjo zgjidhet për 5 minuta.
– Sa para duhet të sakrifikojë qeveria për të zgjidhur kërkesat?
– Ne nuk themi nëpërmjet tyre që do të ketë një ndikim direkt në buxhet sot, por do t’i hapë rrugën një sponsorizimi i cili në rastin më të mirë, në një periudhë le të themi 5-6 vjeçare do t’i sigurojë sportit një financim mesatar rreth 30 milionë euro në vit. Dhe kjo nuk është një shifër e madhe që do të shkojë për nevojat që mund të ketë sporti; infrastrukturë sportive, zhvillimin e sportit të bazës apo edhe futbolli elitar dhe profesionist. Nuk është një gjë që e shpikëm ne. Qeveria mund edhe të vendosë edhe shumë mekanizma të tjerë që mund të eliminojë risqet dhe abuzimet nga miratimi i këtij ligji, por është thjesht një kopje nga ligji i Kosovës, Maqedonisë së Veriut apo Hungarisë.
Ne e kemi një ligj për sponsorizimin, por ka prodhuar 0 sponsorizime. Para një viti e kemi shumëzuar për tre këtë ligj dhe 3×0=0. Unë jam shumë i bindur që Kryeministri dhe të gjithë duan që të bëjnë diçka që sporti të bëhet vërtetë dhe le t’i harrojë të gjitha, shantazh, bojkot etj. Le të marrin dhe të bëjnë atë që është më e mira, në fund të fundit një lider nuk do të matet se sa e ha presionin, por çfarë ka bërë për vendin e tij.
– I keni dërguar një letër Kryeministrit, letër të hapur. Keni marrë përgjigje prej tij?
– Fatkeqësisht nuk kam marrë asnjëlloj përgjigje nga ai, as indirekte. Kam marrë sinjale që të ndikoj te presidentët e Ligës, që ta lënë bojkotin dhe kam thënë që kjo është një e drejtë e tyre që duhet t’i plotësohet. Unë jam i bindur që nëse vetë Kkryeministri do të ulet edhe një herë me presidentët e Ligës dhe t’i dëgjojë tamam ndikimet në buxhet dhe të mirat që i sjell sportit jam shumë i bindur që do ta bëjë këtë gjë. Qëllimi im është të bëjmë sa më mirë për komunitetin sportiv.
– A keni ndonjë gjë për të thënë pas deklaratës së z.Gjici dhe a keni folur me të?
– Në mbledhjen e fundit të Ligës, unë isha i ftuar, siç ishte Fidel Ylli. Ka pasur një pyetje direkte dhe fatmirësisht, mbase jo etike, por tani do të jemi të detyruar që ta bëjmë publike. Ka pasur një pyetje direkte dhe mbledhjet janë të filmuara, ku përfaqësuesi i Kukësit ka thënë “ne vazhdojmë të jemi në të njëjtin qëndrim për bojkot” dhe unë njoh këtë qëndrim zyrtar në tavolinë. Nuk kam parë asnjë nga presidentët që të tërhiqet. Ka diskutime siç është edhe diskutimi im brenda tyre që të gjejmë një mënyrë brenda tyre që të negociojmë për t’i zgjidhur gjërat dhe të kthehemi sa më shpejt në fushë. Por ama qëndrimi është unanim, të gjitha këto të tjerat janë tendenca të atyre që kanë interesat e tyre të vogla për ta përçarë.
– Komiteti Ekzekutiv i mbledhur në 20 gusht, që është organi më i lartë në Federatën Shqiptare të Futbollit të fillojë në datën 19 shtator. Ne kishim të ftuar edhe juristin, z. Topçiu i cili e argumentoi këtë shtyrje të Kategorisë së Parë për shkak të vendimit që duhet të marrë Komisioni i Apelit për dy klube por gjithsesi nuk ka një njoftim zyrtar nga FSHF-ja se kur duhet të fillojë Kategoria e Parë.
– Dy nga ekipet e Kategorisë së Parë nuk e kanë fituar licencën për pjesëmarrjen në garë. Kanë apeluar dhe pritet vendimi i apelit.
– Fakti që do të ngjeshet kalendari, për shkak edhe të fillimit me vonesë të kampionatit, keni menduar ndonjë strategji në lidhje me kalendarin? Kam dëgjuar informacione që Kupa e Republikës mund të ketë një formulë tjetër, vetëm me një ndeshje?
– Objektivi është që i gjithë kalendari të bëhet, kampionati me të njëjtin numër ndeshjesh dhe kupa gjithashtu.
– Në parashikimin tuaj, kur mund të fillojë kampionati? Apo ka një pikëpyetje të madhe?
– Sipas ndjeshmërisë time dhe unë e ftoj Kryeministrin që ta ushtrojë kompetencën e vet, brenda 5 minutave mund ta bëjë të mundur që kampionati të fillojë nesër. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë janë presidentët edhe Liga që duhet të vendosin dhe vetë Federata do të mbajë një qëndrim për fillimin e garës.
– Absolutisht, pa paragjykuar kërkesat tuaja, pse mendoni se po ju refuzon Rama dhe në një moment, pothuaj në prag të zgjedhjeve parlamentare? Sporti dhe sidomos futbolli është një aktor jashtëzakonisht i rëndësishëm në shoqërinë shqiptare.
– Sipas meje, Kryeministrit i ka lënë shije të keqe bojkoti dhe të paktën me sa e pashë në daljen publike, që me mua nuk shkojnë presionet apo shantazhet, që do të thotë, bëni kështu si them unë dhe pastaj do t’i zgjidhni. Por unë e ftoj që t’i zgjidhë.
– Cili është reagimi i tifozëve?
– Tifozët, fatkeqësisht apo fatmirësisht nuk i kemi në shkallët e stadiumit për shkak të pandemisë, por gjithsesi ato e konsumojnë futbollin përmes ekraneve televizive dhe padyshim që nuk duan t’ia dinë se kush e ka fajin. Duhet të jenë pjesë e presionit, sepse ata duan futbollin në fushë. Tifozët nuk mund ta ndajnë se a e ka fajin qeveria, Federata apo presidenti i klubit, por duan futbollin në fushë. Njerëzit që janë për këtë punë, Federata, klubet dhe qeveria duhet të gjejnë rrugën që t’i japin futboll tifozëve.
– Ka precedentë të tjerë kjo histori shqiptare? Bojkoti i futbollit dhe a rrezikon, sepse probleme futbolli për shkak të pandemisë ka pasur në të gjithë kontinentin tonë së paku.
– Vështirësi ka gjithkund, nëse ka apo jo bojkot, ka pasur apo jo, unë nuk e di këtë, por diskutim për vështirësi në futboll së fundmi ka pasur Liga Angleze e cila kërkonte një mbështetje financiare nga qeveria. Në Shqipëri bëhet fjalë vetëm për 30 milionë euro, dhe në vitin e parë nuk do jenë as 10, që janë prapë më pak se Kosova.
– A ka reagime nga institucionet ndërkombëtare të futbollit për këtë që po ndodh në Shqipëri?
– Patjetër që janë të informuar për situatën, e ndjekin atë dhe presin një zgjidhje sa më të shpejtë që futbolli të kthehet në fushë dhe gjithkush të marrë përgjegjësitë e veta, në rastin konkret qeveria.
– A mund të aplikohet shembulli i Kosovës te ne?
– Kosova ka një ligj për sponsorizimet, i cili thotë se 30% e tatimeve mund të shkojnë për sponsorizime në sport. Ne jemi më shumë se të lumtur nëse ligji i Kosovës do kopjohet dhe do implementohet në Shqipëri. Madje do ishim të lumtur sikur të ishte edhe pak më pak se Kosova.
– A mos ka një ide këtu se futbolli është një hobi dhe edhe nëse nuk zhvillohet fare nuk ka asnjë problem?
– Për një moment dikush mund ta mendojë, por nëse e mendon është gabim. Pavarësisht se futbolli ka marrë flamurin për shumë arsye që të ngrejë zërin për këto të drejta dhe ndryshime ligjore, por këto ndryshime ligjore janë për të gjithë sportin shqiptar. 70% e tij është kthyer në inekzistent dhe pjesa tjetër që është ekzistente dhe vuan e lëngon dhe nuk mund të zhvillohet me këtë bazë ligjore që ka dhe me këtë mbështetje financiare që ka.
Nuk kemi klube futbolli që janë shumë të lulëzuara në Shqipëri, apo që bëjnë dividend, por kemi histori të njerëzve që kanë drejtuar futboll dhe kanë falimentuar individualisht, financiarisht, familjarisht. Vetë qeveria dhe vetë ligjet nuk e lejojnë që të marrësh paratë e një biznesi dhe t’i fusësh në një biznes i cili humb.
Atëherë për ta kthyer këtë në një biznes, për ta formalizuar dhe për ta zhvilluar dhe që nesër ky futboll të prodhojë dhe t’i japë buxhetit të shtetit pesëfishin e kësaj që shteti mund ta financojë sot, duhet t’ia bësh këto ndryshime. Përndryshe nuk do arrish askund. Nëse do kemi një futboll më të zhvilluar, mund të shesim futbollistë si Kroacia dhe të shesim lojtarë nga 1 milionë apo 2 milionë euro nga i cili buxheti i shtetit do t’i marrë paratë qoftë edhe me 3 futbollistë.
– Mos ndoshta është informaliteti që si në sektorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, prek edhe futbollin, ajo që e tremb edhe Kryeministrin? Sepse, për të qenë realistë futbollistët deklarojnë një pagë prej disa dhjetëra apo disa qindra mijëra lekësh ndërkohë që në realitet paguhen disa mijëra apo dhjetra mijëra eurosh?
– Informalieti, në sektorë të tjerë të ekonomisë është dy herë më i madh se në futboll. Nuk kemi pse ta vëmë gishtin te futbolli. 70% e retail-it në Shqipëri është informal dhe 30 % formal. Qeveria e di këtë mirë dhe nuk e riparon, sepse ka interesa fiskale. Kjo dëmton biznesin.
Ajo që ne propozojmë është që ta formalizojmë në 100% sportin, sepse ti nëse nuk je 100% i formalizuar, nuk respekton ligjet e shtetit, nuk ke të drejtë të sponsorizohesh. Kështu që, paketa jonë tenton shëndetin financiar të klubeve, ekipeve, akademive të futbollit, formalizimin dhe zhvillimin e tyre. Ligji i sponsorizimit i siguron një minimum të buxhetit të përhershëm që vetë sporti mund ta marrë nga biznesi.
– Çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq në marrëdhënien qeveri-Federatë në këto 7 vite?
– Qeveria aktuale në marrëdhënie me futbollin ka mbështetur në ndërtimin e stadiumit të Elbasanit, ku 60% e financimit është bërë nga FSHF; në stadiumin e Shkodrës, 50% e financimit është bërë nga FSHF; në stadiumin e Kukësit gjithashtu. Por edhe këto 50% të qeverisë duhen përshëndetur dhe duhen falënderuar dhe duhet falënderuar akoma më shumë, jo vetëm qeveria, por personalisht kryeministri për “Shtëpinë e Futbollit”, që ia vuri në dispozion FSHF-së për të ndërtuar zyrat apo edhe stadiumet për ekipet kombëtare.
Ekipet do zbresin në fushë, ligjet do të bëhen, por varet se kush do t’i bëjë. Futboll do të ketë dhe do ketë futboll akoma edhe më të mirë. Se kush dhe kur do t’i bëjë ligjet unë nuk e di, por që do bëhen, do bëhen.
– A kanë realisht rezerva presidentët e klubeve që të përballojnë vetë këto nevoja për futbollistët?
– Është e vështirë, sepse nuk kemi klube të shëndetshme. Duhet të prodhojmë një legjislacion i cili t’i japë mundësinë që kjo të jetë një gjë e shëndoshë dhe të mbajë veten.
– Përmendët në fillim zhdukjen e disa sporteve. Çfarë lajmi do të ishte për Shqipërinë nëse edhe futbolli do të kishte fatin e disa sporteve që të tëra vendet fqinje i kanë, kurse në Shqipëri janë zhdukur?
– Nuk zhduket futbolli, njerëzit janë të përgjegjshëm, qeveritë janë të përgjegjshme, qeveritë nuk janë individuale, janë të popullit dhe do ta ndihmojnë futbollin.
– Qarkullon një lajm që disa prej lojtarëve më të rëndësishëm nuk janë thirrur nga trajneri Reja për shkak se kanë qenë në një festë familjare të Odise Roshit. Kjo ka qenë një zgjidhje taktike e teknikut Reja apo një masë disiplinore? Nëse ka qenë kjo e fundit, nga kush, nga vetë trajneri apo nga Federata?
– Trajneri ka ftuar të gjithë futbollistët më të mirë që kanë formën më të mirë për këtë moment që janë të mundshëm të jenë për të gjitha arsyet që po përjetojmë; shkaqe pandemie, shëndetësore, gjendje fizike etj.
Nuk kemi masa disiplinore, por kemi ato më të mirët e mundshëm në fushë. Nuk i kemi gjithë ata më të mirët që ka ekipi ynë, por më të mirët e mundshëm të momentit. Dhe jo vetëm ne, por të gjithë ekipet kombëtare, dihet që po bëjmë një aktivitet me sakrifica. Është i vetmi sport dhe i vetmi kontinent, që bën ndeshje ndërkombëtare sot dhe kemi pengesa të jashtëzakonshme. Ato që kemi në dispozicion, do mundohemi të bëjmë më të mirën në tre ndeshjet e ardhme.

















