Presidenti Duka, intervistë për emisionin “Sport News Plus”, në televizionin “News 24” - FSHF

Presidenti Duka, intervistë për emisionin “Sport News Plus”, në televizionin “News 24”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte sonte ora 22:00 i ftuar në emisionin “Sport News Plus”, në televizionin “News 24”, ku foli për rifillimin e kampionatit, mungesën e tifozëve, investimet, problematikat e klubeve, por edhe bashkëpunimin me qeverinë.

Rifillimi i kampionatit -“Kemi kaluar një situatë të pazakontë me të cilën nuk ishim përballur më parë, e gjithë shoqëria shqiptare dhe ajo botërore. Fakti që po rikthehemi në jetën normale dhe në futbollin e luajtur është një lajm i mirë. Ishim në një lloj frike dhe kaosi. Virusi bëri dëme, mori jetë njerëzish dhe bëri dëme ekonomike. Shpresoj të fitojmë kohën e humbur”.

Vendimarrja – “Gjithkush bën punën e vet. Kjo u takon ekspertëve. Ministria e Shëndetësisë ka bërë më të mirën e mundshme për të rifilluar. Duhet të jemi të lumtur që do të rifillojmë të luajmë. Kryesorja është shëndeti. Tani që risku është më i vogël jemi më të lehtësuar. Jam i lumtur që do të shohim futboll, dhe për futbollistët që të mos dëmtojnë karrierën e tyre që është relativisht e shkurtër. Për ta jam më shumë i lumtur se sa për mbylljen e kampionatit”.

Pa tifozë – “Dëshira ime është që stadiumi të jetë plot. Nuk jam unë ai që mund të vlerësojë nivelin e riskut. Është Ministria e Shëndetësisë dhe ekspertët e saj. Askush nuk ka dëshirë të pengojë aktivitetet sportive. Duke parë zhvillimet hap pas hapi, mund të kemi pse jo edhe një vendim për të luajtur me tifozë, kjo do ishte një kënaqësi e madhe dhe një lajm i shumëpritur”.

Bashkëpunimi me qeverinë – “Nuk ka munguar nga ana jonë. Ne jemi gjithmonë bashkëpunues me çdo faktor që ndihmon lojën e futbollit. Qeveria jo vetëm që nuk e mbështeti futbollin, por edhe e injoroi. Çdo shqiptar dhe politikan është krenuar me rezultatet e futbollit dhe nuk duhet ta injorojnë në atë mënyrë. Më vjen keq që nuk u kthye në një reflektim ekonomik. Gjithsesi uroj që të ketë një pasojë e virusit dhe të ketë kaluar edhe kjo”.

Testet shëndetësore – Për sa i përket tamponëve, nuk është se nuk kemi dashur ne. Kështu është arsyetuar, kështu është gjykuar nga Ministria e Shëndetësisë. Tamponë do bëhet vetëm kur futbollistët të jenë me temperaturë ose të shfaqin simptomat e Covid-19. Nuk është se ne e kemi shmangur. Jeta e njeriut është më e rëndësishme. Nuk jemi rikthyer në kampionat thjesht për klasifikim, sepse ai ekzistonte. Është i rëndësishëm diskutimi për mbrojtjen e shëndetit të njerëzimit. Kam dëgjuar se protokollet janë të pamundura. Janë të gjitha të mundura. Nëse kemi vullnet dhe dëshirë është i zbatueshëm. Duhet minimizuar dhe eliminuar çdo lloj risku”.

Paketa e solidaritet – “Qeveria duhet të trajtonte njerëzit e futbollit në të njëjtën mënyrë. Ne kemi mbështetur me 2 paga solidariteti me ato mundësi minimale, për t’iu treguar solidaritet njerëzve tanë. Edhe vetë klubet janë treguar solidarë dhe bashkëpunues. Nëse themi që ka mbaruar, mendoj që kemi qenë goxha të bashkuar”.

Problematikat e klubeve – “Klubet shqiptare nuk janë në një situatë solide financiare. Ne jemi dëshmitarë që klubet kalojnë në situata shumë të vështira. Apo siç ndodhi së fundmi me Vllazninë, apo qoftë dhe ndonjë klub tjetër. Ajo që ne duhet të bëjmë është të zbatojmë ligjin dhe kriteret e licencimit. Nëse ne respektojmë ato, mund të parandalojmë raste të tilla. Nuk ekziston eksperienca për buxhete të ngrira. Klubi është i detyruar të paguaj futbollistët sipas kontratat. Në të gjitha rastet problemet janë zgjidhur nga dhoma e zgidhjes së konflikteve. Këto janë eksperiencat e futbollit”.

Kontratat e futbollistëve – “FIFA ka nxjerrë një udhëzues për kohën e pandemisë edhe për marrëdhëniet kontraktuale të klubeve, e cila pak a shumë instrukton klubet. Kjo duhet të arrihet nëpërmjet marrëveshjes mes klubeve dhe futbollistëve. Për sa iu përket përfundimit të kontratave, futbollistët janë të detyruar të luajnë deri në përfundim të sezonit, kontrata zgjatet automatikisht. Ne kemi dhënë një mbështetje financiare dhe solidare. Qeveria pagë luftë futbollit nuk i dha. Gjithë futbollistët dhe zyrtarët duhet të bisedojnë me klubet. Kjo është një periudhë me të cilën ne nuk duhet të abuzojmë. Të jemi solidarë për të bërë më të mirën e mundshme”.

Investimet & infrastruktura – “Nuk i kemi prekur buxhetet. Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Ato mungesa të ardhurash apo shpenzime do t’i rikuperojmë vetë pa cënuar projektet e investimeve. Projekti jonë madhor nuk mund të realizohet pa mbështetjen e qeverisë, që janë ndërtimi i fushave. Futbollit shqiptar i mungon infrastruktura e stërvitjes për të gjitha moshat. Duhet të kemi një infrastrukturë të kënaqshme. Çdo njeri, çdo klub, çdo ekip mund të aplikojë për të investuar 1/3 e këtij projekti”.