Presidenti Duka, intervistë për emisionin “Fair Play” në SYRI TV - FSHF

Presidenti Duka, intervistë për emisionin “Fair Play” në SYRI TV

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për emisionin “Fair Play” të gazetares Enkeleida Zeko në SYRI TV. Duke folur për rifillimin e kampionatit Presidenti Duka ka vlerësuar menaxhimin e duhur të ndeshjeve dhe ka uruar të gjitha klubet dhe futbollistët për respektimin e protokolleve të shëndetësisë.
“Në fakt nuk e kisha numëruar që ishin 84 ditë ndërprerje, por mua më janë dukur shumë më shumë se 84 ditë. Kanë qenë ditë shumë të mërzitshme, jo vetëm pa futboll, por edhe me mungesën e shumë aktiviteteve të tjera të jetës së përditshme me të cilat jemi mësuar. Tashmë që jemi rikthyer uroj që ta harrojmë atë dhe të shohim përpara. Jam i kënaqur që sot pas kaq kohësh pashë një ndeshje futbolli, jo me 100% të kënaqësisë sepse stadiumi ishte i boshatisur dhe nuk kishte spektatorë, por gjithsesi kishim lojë në të gjitha stadiumet e Shqipërisë. Java e parë ishte interesante dhe me garë interesante e rezultate interesante. Uroj që me mbylljen e fazës së tretë të kemi në fazë të katërt akoma më të bukur dhe shpresoj që ta mbyllim atë me spektatorë dhe jo me stadiumet bosh”, tha numri 1 i FSHF-së.
I pyetur në lidhje me rastin e futbollistit të Bylisit, i cili sipas raportimeve rezultoi pozitiv me COVID-19, kreu i qeverisë së futbollit ka sqaruar: “Për të gjithë është mbi gjithçka jeta e njeriut, shëndeti i futbollistëve dhe zyrtarëve që marrin pjesë në një ndeshje futbolli. Pikërisht për të minimizuar riskun dhe për të pasur zero shpërndarje të virusit ne kemi bërë një protokoll që është miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe për të cilën unë do të doja të falënderoj sot të gjithë ata që kanë zbritur në fushën e lojës, organizatorët, futbollistët, trajnerët, që e kanë respektuar thuajse 100% protokollin dhe nuk kemi patur probleme. Lajmi i djeshëm, unë nuk jam i sigurt nëse mund të konsiderohet një lajm i konfirmuar me COVID 19, sepse në dijeninë time personi në fjalë nuk ka bërë teste, por thjesht ka pasur simptoma të virusit. Megjithatë, për të qenë të sigurt sot, megjithëse protokolli nuk e parashikonte, është testuar e gjithë skuadra e Bylisit dhe zyrtarët e saj. Fatmirësisht të gjithë kanë rezultuar negativë, kështu që situata ka qenë e qetë. Uroj të vazhdojë të jetë e qetë. Duke respektuar rregullat që kemi vendosur bashkë me Ministrinë ë Shëndetësisë, unë besoj që deri në fund të kampionatit nuk do të kemi probleme”, – tha Presidenti i FSHF-së, i cili shtoi se nëse situata do të normalizohet do t’i kërkojë Ministrisë së Shëndetësisë, që për një pjesë të kapaciteteve të impianteve sportive të ketë spektatorë në stadium .
Gjithashtu, Presidenti Duka ka folur edhe për 90-vjetorin e krijimit të FSHF-së dhe festimet apo aktivitetet që qeveria e futbollit ka përgatitur me këtë rast.
“Ky është një vit jubilar për futbollin, sepse është 90-vjetori i themelimit të FSHF-së, për të cilën realisht ishte programuar ndryshe festimet, ngjarjet, rikujtimi i aktiviteteve, figurave sportive gjatë gjithë vitit për të kulmuar me një festë të madhe jubilare për 90-vjetorin. Por duke qenë që ishim në kushtet e pandemisë dhe karantinës, disa plane u anuluan, por gjithsesi do të rikthehemi dhe të paktën nga ky moment që futbolli u rikthye dhe deri në fund të vitit ky është vit jubilar dhe do të shoqërohet nga këto aktivitete. Federata faktikisht ka filluar në rubrikat e saj për të përkujtuar të gjitha figurat e futbollit përgjatë gjithë historisë, ngjarjet kryesore ndër vite. Do të ketë aktivitete të ndryshme, do të ketë aktivitete me qëllime sociale dhe siç thashë do të ketë edhe një kulmim, duke ftuar të gjithë aktorët nga e gjithë bota e futbollit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj për të festuar këtë vit jubilar të FSHF-së”, – u shpreh Presidenti Duka.