Një tjetër stadium modern do t’i shtohet Shqipërisë së shpejti. Punimet po ecin me ritëm të shpejtë në stadiumin e ri të Kukësit që tashmë ka marrë formë dhe mund të jetë gati për të pritur ndeshje shumë shpejt.
Për të parë nga afër punimet në impiantin e ri ishte sot i pranishëm në Kukës, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar edhe nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj dhe Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici.
Në një prononcim për median gjatë kësaj vizite Presidenti Duka u shpreh optimist për mbarimin e shpejtë të punimeve dhe vlerësoi punën e bërë deri më tani në këtë kantier. “Ka goxha ndryshim nga dita që kam qenë për herë të fundit dhe puna ka ecur me ritëm, duke patur parasysh edhe situatën bllokuese që kemi kaluar nga pandemia Covid-19. Vërtetë jam optimist për afatet që i ka vënë vetes kompania për të përfunduar, le të themi punimet me betonin, deri në shtator. Sepse për t’u kompletuar stadiumi me punime të brendshme si rifiniturat apo ndriçimin, do të marrë pak kohë më shumë. Realisht tashmë objekti ka marrë pamjen e stadiumit të vërtetë, një stadiumi të bukur dhe funksional. Ne vizituam të gjitha ambientet, pamë me inxhinierin edhe ndonjë detaj që mund të korigjohet për të qenë akoma më shumë funksional dhe më komod për futbollistët, për stafet teknike dhe për pëfaqësuesit e mediave. Jam shumë i lumtur që edhe në Kukës objekti më i bukur do të jetë ai i futbollit, ashtu si në gjithë Shqipërinë ku objektet më të bukura janë ato të futbollit”, – tha Presidenti Duka.
Stadiumi i ri i Kukësit po ndërtohet me bashkëfinancim të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe qeverisë shqiptare, ku secila palë do të investojë 50% të shumës totale.
Ky është stadiumi i katërt me parametra moderne që ndërtohet në Shqipëri gjatë viteve të fundit pas “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi”, “Air Albania”. Ndërkohë së shpejti pritet të marrë rrugë edhe projekti për ndërtimin e stadiumit të ri të Fierit, që do të jetë i pesti. Presidenti i FSHF-së e vuri theksin te projekti i 100 fushave, që pritet të sjellë një ndryshim të madh në infrastrukturën e futbollit.
“Atë çfarë FSHF-ja ka marrë përsipër për të financuar, pra 50% të ndërtimit deri në fund të stadiumit, i ka të garantuar financat. Ne do të plotësojmë detyrimin tonë për ta përfunduar projektin dhe për t’i shërbyer futbollit në Kukës. Jo vetëm me stadiumin, por edhe me ambiente të tjera, sepse nuk mjafton, nuk mund të zhvillohet futbolli vetëm me një stadium, por duhet të ketë edhe fusha stërvitjeje për të cilat Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur një projekt në të gjithë Shqipërinë. Presim edhe një mbështetje nga qeveria, që edhe aty të jemi në bashkëpunim, për të ndërtuar 100 fusha futbolli në të gjithë vendin. Dhe nga këto 100 fusha, pse jo të ndërtojmë edhe në Kukës, sepse prioriteti i punës tonë janë fëmijët, e ardhmja e futbollit dhe jo thjesht klubet profesioniste. Klubet profesioniste do t’ia lëmë presidentëve, drejtuesve apo Ligës Profesioniste, ndërsa Federata do të përqendrohet në futbollin e fëmijëve. ‘A’-ja për të zhvilluar futbollin e fëmijëve është infrastruktura dhe për këtë ne kemi iniciuar projektin e 100 fushave në Shqipëri, që mendoj se do të bëjë një ndryshim sasior dhe cilësor për futbollin shqiptar në vitet e ardhshme”, – theksoi kreu i qeverisë së futbollit.
Në fund, Presidenti Duka ju përgjigj edhe interesit të medias në lidhje me ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, Bylis-Tirana. “Në fakt ky kampionat është vërtetë për t’u festuar që po përfundohet, duke patur parasysh peripecitë që kemi kaluar gjatë pandemisë, por nuk më vjen mirë që në prag të përfundimit të flasim lidhur me akuza për trukim. Por është një dyshim i fortë për ndeshjen Bylis-Tirana, pra është e dyshuar për trukime. Juristët dhe hetuesit po mundohen të mbledhin prova për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë me një ndeshje të trukuar. Në një bashkëpunim të ngushtë me UEFA-n, që pas përfundimit të ndeshjes, po hetohet për të dalë në një konkluzion. Nëse nga komisionet do të vërtetohet që ka pasur trukim të rezultatit, besoj se do të ketë vendime të merituara për të eliminuar trukimin”.


















