Presidenti Duka inspekton punimet në stadiumin e Kukësit: “Nga sezoni ardhshëm do kemi një tjetër stadium modern” (VIDEO) - FSHF

Presidenti Duka inspekton punimet në stadiumin e Kukësit: “Nga sezoni ardhshëm do kemi një tjetër stadium modern” (VIDEO)

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, dhe kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, ka inspektuar punimet që janë duke u kryer në qytetin e Kukësit për ndërtimin e stadiumit të ri.

Presidenti Duka u shfaq optimist për mbarimin e shpejtë të punimeve dhe vlerësoi punën e bërë deri më tani. “Nuk është një ngjarje e zakonshme të vish në Kukës për të ndërtu një stadium të ri, shumë njerëz janë kritik, ç’doni në Kukës, por Kukësi me gjithë kontributin që ka dhënë në futbollin shqiptar në 6-7 vitet e fundit dhe gjithë dashurinë që ka populli këtij i këtij qyteti për futbollin e meritonte një stadium të tillë. Gjatë kësaj vizite kemi diskutuar edhe detaje të vogla për përmirësimin e projektit, me qëllimin që stadiumi të ketë formën e një Arene, tribunat të jenë sa më pak të shkëputura, për ta bërë sa më komod për spektaktorët dhe për hyrje-daljet dhe qarkullimi i tifozëve brenda stadiumit apo evakuimi në raste emergjence. Punimet në një kohë të shkurtër kanë ecur shumë. Unë uroj dhe jam shumë i sigurt që do ta realizojmë me kompaninë zbatuese që në kampionatin tjetër, ekipi i Kukësit të luajë në shtëpi”.

Projekti i 100 fushave? “Ne kemi propozuar një projekt në Ministrinë e linjës, projekt që parashikon ndërtimin e 100 fushave stërvitore, ku duhet të kontributojë Qeveria shqiptare, Federata e Futbollit dhe aplikuesi, Bashki ose Klub futbolli. Akoma nuk është një projekt i definuar bashkë me Qeverinë, kuptohet që Qeveria duhet ta parashikojë në buxhetet e saj. Ky është një projekt për të filluar në vitin 2020. Jam shumë i bindur që do të fillojë në vitin 2020 dhe nga ky projekt do të përfitojë Kukësi dhe të gjithë qytetet e tjera, për të pasur fusha stërvitje me bar natyral, dhe jo vetëm fushat e stadiumeve.  Një nga pikat e projektit është që fushat të jenë të reja, jo rikonstruksion i fushave ekzistuese, kjo për faktin se ne kemi prishur fusha dhe kemi bërë palate. Tani projekti tenton që të marrë sipërfaqe sportive dhe sipas ligjit ato fusha nesër nuk mund të kthehen në truall ndërtimi. Shpresoj që fëmijët e Kukësit të luajnë futboll për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, të shëndetshme dhe sportive”.

Stadiumi i ri që po ndërtohet në qytetin e Kukësit është një investim i përbashkët i Federatës Shqiptare të Futbollit  dhe Qeverisë shqiptare.