Presidenti Duka inspekton punimet e “Shtëpisë së Futbollit Shqiptar”: Vepër madhore për infrastrukturën sportive - FSHF

Presidenti Duka inspekton punimet e “Shtëpisë së Futbollit Shqiptar”: Vepër madhore për infrastrukturën sportive

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka inspektuar punimet që po kryhen në selinë e re të FSHF-së. Z. Duka, i shoqëruar nga presidenti i firmës ndërtuese z. Carapuli dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj është njohur nga stafi teknik mbi ecurinë e punimeve voluminoze që po realizohet në këtë kantier.
Duke folur për mediat, Presidenti i FSHF-së u shpreh i kënaqur me mbarëvajtjen e punimeve dhe vlerësoi rëndësinë që ka kjo vepër moderne në pasurimin e infrastrukturës së futbollit shqiptar. Z. Duka theksoi se “Shtëpia e Futbollit Shqiptar” do të ofrojë të gjitha kushtet e nevojshme bashkëkohore për të gjitha ekipet kombëtare.
Presidenti tha se kompleksi është një vepër madhore e futbollit shqiptar, sepse ofron kushte optimale pune për të gjitha ata që menaxhojnë e administrojnë futbollin, për ekipet kombëtare që janë shumë të rëndësishme dhe për të gjithë infrastrukturën që vihet në shërbimin e tyre.
“Është shumë e rëndësishme për ne që të vazhdojmë të ndjekim projektet e zhvillimit, patjetër edhe të futbollit të luajtur, por edhe të krijimit të infrastrukturës për të përgatitur një futboll sa më të mirë, sa më modern e sa më bashkëkohor. Ky është një kompleks të cilin ne e kemi quajtur Shtëpia e Futbollit Shqiptar. Është një kompleks sportiv në të cilin do të jetë i inkorporuar edhe kjo godinë e zyrave të FSHF-së që nuk është vetëm ambiente zyrash, por është për të krijuar të gjitha kushtet e domosdoshme për të gjitha ekipet kombëtare të futbollit. Pra të gjitha pajisjet që nga përgatitja e materialeve, magazina, lavanderia, sallat e konferencave”, – tha Presidenti FSHF-së, duke u ndalur më tej edhe te dy mini-stadiumet që do të jenë pjesë e kompleksit, pasi puna për ndërtimin e tyre do të nisë shumë shpejt.
“Do të ketë edhe dy le të themi dy mini-stadiume, pavarësisht se do të jenë minimal prej 500 vendesh secili, por që do të plotësojnë të gjitha kushtet e zhvillimit të një ndeshjeje. Në të do të bëjnë stërvitje të gjitha ekipet kombëtare shqiptare, do të organizohen edhe turne të ndryshëm. Madje, janë programuar si dy mini-stadiume sepse në konceptin tonë mendojmë që në të ardhmen çdo gjë në futboll do të jetë e komunikueshme apo e ndjekshme qoftë nga mediat, qoftë nga publiku në mënyrë që stërvitjet e ekipeve kombëtare të bëhen të hapura dhe të jenë sa më të ndjekshme pothuajse, sepse nuk mund të jenë njësoj si një ndeshje futbolli. Pra do të jetë një kompleks, që ofron gjithçka të gjithë ekipeve kombëtare, administratës dhe menaxhimit të futbollit shqiptar”, – u shpreh Presidenti Duka.
Projekt i “Shtëpisë së Futbollit Shqiptar” është një projekt madhor i financuar 100% nga FIFA dhe sipas Presidentit Duka, FSHF në një lloj mënyrë ka bërë menaxhimin dhe bashkimin e donatorëve. “Është dhuruar toka nga qeveria shqiptare dhe FIFA ka financuar projektin, futbolli do ta përdorë dhe duhet ta përdorë mirë për t’i ofruar sa më shumë spektakël tifozëve”.
Gjithashtu, z. Duka foli edhe për ecurinë e punimeve për stadiumin e ri “Arena Kombëtare”, që sipas objektivave do të inaugurohet në vitin 2019, teksa shprehu bindjen se do të jetë një vepër madhore që do të prezantojë denjësisht jo vetëm futbollin shqiptar, por edhe Shqipërinë në skenën ndërkombëtare.
“Stadiumi është një vepër madhore e futbollit shqiptar, sepse e para plotëson të gjitha kushtet për ata që do të ndjekin futbollin, për 22 mijë spektatorë që do të jenë të pranishëm, për ekipet që do të vijnë aty, për mediat gjithashtu që është shumë e rëndësishme. Pra është një prezantim dinjitoz, jo vetëm i futbollit shqiptar, por i Shqipërisë në përgjithësi. Nuk ekzagjeroj nëse them se është vepra më dinjitoze që do të prezantojë Shqipërinë dhe mezi pres që ta inaugurojmë në vitin 2019. Objektivi i stadiumit është që në mars ne të zhvillojmë ndeshje aty. Është një objektiv goxha ambicioz, nuk mund ta them me 100%, por gjithsesi ne do të punojmë me këtë synim që në mars të luajmë. Gjithsesi, varet edhe nga shorti i Dublinit më 2 dhjetor nëse Shqipëria do të luajë në shtëpi ose jo, por sidoqoftë brenda vitit 2019 patjetër që stadiumi do të inaugurohet, edhe ky kompleks ku ne jemi tani do të inaugurohet brenda vitit 2019”, – deklaroi ndër të tjera Presidenti i FSHF-së.