Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka qenë sonte i ftuar i gazetarit Sokol Balla në emisionin “Top-Story” në Top Channel, për ti dhënë përgjigje shumë pyetjeve në lidhje me aktualitetin e futbollit, por edhe një bilanc pas përfundimit të fazës eliminatore të Botërorit, nga ekipi kombëtar. Presidenti Duka vlerëson si një figurë autoritare trajnerin Panuçi, teksa kishte bindjen që nëse do të ishte Shqipëria në vend të Italisë në play-off, ajo do e eliminonte Suedinë:
“Ne do ta kishim eleminuar Suedinë dhe do të ishim ne në Rusi. Nëse do të shkonim në playoff. Ne ndofta e kemi vuajtur në një lloj mënyre peshën e fanellës të kundërshtarit tonë Italian në grup, pasi nëse nuk do e kishim vuajtur këtë gjë do të kishim pikë më shumë në grup. Por, gjithsesi nuk na kanë penalizuar vetëm pikët e ndeshjeve me Italinë, por edhe humbja me Izraelin në fushën tonë.
Unë mendoj se mbi të gjitha kemi një institucion solid siç është ekipi kombëtar, që pavarësisht ndryshimit të emrave në pankinë është një ekip që besojmë dhe na jep shpresë dhe me të cilin mund të shkojmë më larg se sa kemi shkuar der tani. Me këtë skuadër nuk shkojmë përballë asnjë kundërshtari si inferiorë tanimë, me përjashtimin e Spanjës që më duket si një planet tjetër. Por me të gjithë ekipet e tjera shkojmë aspak inferiorë. Kjo skuadër kombëtare i ka mundësitë reale për të shkuar në një nga kompeticionet e rëndësishme siç është Europiani. Dhe për të arritur këto objektiva ne vendosëm dhe morëm këtë trajner, pasi për të kaluar atë kurbën e vetkënaqësisë që folëm, ekipi kishte nevojë për një figurë autoritare i cilit do ti imponohesh dhe do ta ulte skuadrën me këmbë në tokë. Dhe Panuçi është një emër I botës së futbollit I ciki ka arritur gjithçka dhe një autoritet me të cilin e ke të vështirë ta kundërshtosh me vepra sepse me fjalë mund ta kesh këtë mundësi. Panuçi ka një staturë të madhe futbollistike, ka energji shumë dhe ka cfarë jep dhe I përcon skuadrës për të cuar akoma më tej dhe për ti thënë që nuk është ky stacioni I fundit I kësaj skuadre po akoma më tej, pasi nuk duhet të vetkënaqemi vetëm me 2016-tën, por kemi mundësitë për më shumë. Kjo është edhe motoja e tij”,- theksoi në studion e Sokol Ballës, kreu i FSHF-së.
Në lidhje me një rikandidim në zgjedhjet e ardhëshme, Presidenti Duka u shpreh: “Nuk është një gjë që nuk e kam menduar, nuk është një gjë që është kaq pak e rëndësishme, por, gjithsesi duke u marrë me punën dhe problematikën e përditshme dhe me vazhdimin e projekteve gjithmonë duket datë e largët. Do ta jap këtë përgjigje kur të jenë afatet dhe limitet statutore të FSHF-së. Jam aktualisht I përfshirë në jo pak projekte, dhe do marr vendimin e duhur në kohën e duhur”.

















