PRESIDENTËT E FEDERATAVE EUROPIANE TË FUTBOLLIT UROJNË Z.DUKA PËR RIZGJEDHJEN E TIJ - FSHF

PRESIDENTËT E FEDERATAVE EUROPIANE TË FUTBOLLIT UROJNË Z.DUKA PËR RIZGJEDHJEN E TIJ

Pas rizgjedhjes në krye të drejtimit të futbollit shqiptar, në adresë të Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka vijojnë të mbërrijnë mesazhet nga homologët e tij në Europë. Së fundmi, Presidentët e Federatave të Polonisë, Kroacisë, Sllovakisë, Estonisë e Lituanisë kanë uruar rizgjedhjen e z.Duka në drejtimin e mëtejshëm të FSHF-së.

FEDERATA KROATE E FUTBOLLIT
Më tej akoma, kreu i Federatës kroate të futbollit, z.Davor Suker, një tjetër emër i futbollit kroat në vite, në urimin e tij do të veçonte:
“Në emër të Federatës Kroate të Futbollit, do të doja t’ju përgëzoja për rizgjedhjen tuaj si President i Federatës Shqiptare të Futbollit. Ne jemi thellësisht të bindur se të dy Federatat tona do të vazhdojnë, por edhe do të përmirësojnë dhe zhvillojnë më tej bashkëpunimin mes tyre. Ju urojmë shumë suksese, në sfidimin e çështjeve, por edhe në arritjet e reja të Federatës suaj, nën udhëheqjen tuaj”.

FEDERATA E FUTBOLLIT TË POLONISË
Kështu Presidenti i Federatës së Futbollit të Polonisë, një emër i madh i futbollit botëror, z.Boniek citon: “Ne jemi të bindur se njohuritë tuaja dhe cilësitë personale kanë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit vendin tuaj. Urimet më të sinqerta për rizgjedhjen në këtë detyrë”,- shkruan ndër të tjera Presidenti i Federatës së Polonisë.

FEDERATA SLLOVAKE E FUTBOLLIT
Presidenti i Federatës sllovake të futbollit, z.Jan Kovaçik në urimin e tij për kreun e rizgjedhur të FSHF-së, thekson: “Në emër të Federatës sllovake të futbollit, ju lutem pranoni urimet tona më të sinqerta për rizgjedhjen tuaj. Ne jemi të sigurt se kjo dëshmon potencialet dhe njohuritë tuaja për futbollin. Në vijim ne presim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm mes dy federatave”.

FEDERATA LITUANEZE E FUTBOLLIT
Kreu i Federatës së futbollit në Lituani ka përcjellë me një mesazh urimin e tij për rizgjedhjen e z.Duka për katër vitet e ardhëshme në drejtimin e futbollit shqiptar. Në letrën e tij, z. Tomas Danilevicius shkruan: “Në emër të Federatës së Futbollit të Lituanisë, ju përgëzojmë për rizgjedhjen tuaj të fundit në detyrën e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Shpresojmë se gjatë këtyre viteve do të vazhdojmë të mbajmë lidhjet tona miqësore dhe produktive midis dy federatave”,- citohet ndër të tjera në mesazhin e krerëve të drejtimit të futbollit në Lituani.

FEDERATA E FUTBOLLIT NË ESTONI
Presidenti i Federatës estoneze të futbollit, z.Aivar Pohlak ka dërguar urimet e tij për rizgjedhjen e z.Duka edhe për katër vitet e ardhëshme në krye të FSHF-së. Në këtë urim z.Pohlak shkruan: “Jam shumë i kënaqur të dëgjoj për rizgjedhjen tuaj në këtë detyrë. Kjo tregon se ju keni fituar besimin dhe respektin e anëtarëve tuaj. Ne dëshirojmë suksesin tuaj të vazhdueshëm në drejtim të futbollit shqiptar”,- citon kreu i Federatës së Estonisë.