Prag sezoni / Vëzhguesit në seminar për ndryshimet e rregullores së lojës - FSHF

Prag sezoni / Vëzhguesit në seminar për ndryshimet e rregullores së lojës

Sektori i Arbitrimit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është duke zhvilluar një seminar tre ditor me vëzhguesit e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Ky seminar vjen në prag të nisjes së sezonit, dhe ashtu si edhe me seminarin me delegatët që u zhvillua javën e kaluar, synohet rritja e performancës nga ana e zyrtarëve të ndeshjeve.

Fokusi i këtij seminari ka qënë shpjegimi i ndryshimeve në rregulloren e lojës. Nëpërmjet shembujve konkretë që janë demostruar në video të ndryshme, lektorët e ftuar kanë dashur të shpjegojnë gjithçka për vëzhguesit në mënyrë që të jenë gati për sezonin e ri. Vëzhguesve në të njëjtën kohë i është kërkuar seriozitet maksimal në plotësimin e raporteve vlerësuese për zyrtarët e ndeshjes, duke u siguruar në zbatimin dhe interpretimin e njëtrajtshëm të Rregullave të Lojës. Identifikimi i arbitrave të rinj ishte një tjetër pikë e diskutuar në këtë seminar tre ditor që po zhvillohet në ambientet e FSHF.

Një javë më parë, Sektori Arbitrimit pranë Federatës zhvilloi në qytetin e Korçës, një seminar me të gjithë arbitrat ku u shpjeguan ndryshimet në rregulloren e lojës si edhe u zhvilluan testimet fizike.