Prag Islanda / Trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj në konferencë për shtyp - FSHF

Prag Islanda / Trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj në konferencë për shtyp

Trajneri i kombëtares shqiptare Edoardo Reja ka dalë në konferencë për shtyp mesditën e sotme, sëbashku me kapitenin Elseid Hysaj, një ditë përpara ndeshjes së tretë eliminatore për Euro 2020 kundër Islandës, që do të zhvillohet nesër në orën 15:00 në Rejkjavik.

Trajneri Reja në fjalën e tij theksoi se ka parë angazhim maksimal nga skuadra në këto 15 ditë që ka punuar me grupin: “Në fushë gjatë stërvitjeve u kam dhënë filozofinë lojtarëve dhe e kanë zbatuar disi. 15 ditë nuk janë shumë, por jam munduar të shoh edhe aftësitë individuale të lojtarëve. Është me rëndësi të marrim rezultat, pasi do u jepte besim lojtarëve se sistemi po funksionon dhe mundi nuk u ka shkuar dëm. Pres nga ekipi të jetë i organizuar dhe i ekuilibruar, të përfshihen të gjitha repartet. Duhet të jemi të suksesshëm edhe në finalizim. Nuk do të rrimë prapa. Do shohim nëse kjo punë e bërë do jetë e suksesshme. Filozofia është të luajmë futboll, jo të mendojmë të futemi në fushë për të marrë një pikë. Ata kanë lojtarë të rëndësishëm, sidomos në goditjet standarde. Duhet të bëjmë presion para se të vijnë në fushën tonë. Do mundohen të na rrezikojnë me topat futur në zonë. Do më pëlqente që skuadra të futet në fushë me bindjen për të fituar. Formacioni? Nuk ua kam treguar as lojtarëve. Nesër do e merrni vesh. I gjithë grupi i Islandës është i mirë, janë një ekip i organizuar. Sigurdgson është një lojtar shumë i mirë, me vlera teknike të larta. Edhe anësorët e tyre punojnë mirë, por edhe ne kemi lojtarë me vlera. Do mundohemi të mos i lëmë të luajmë, ne do bëjmë pjesën tonë. Janë të rrezikshëm po nuk i penguam në manovrat e tyre.”

Kapiteni Hysaj u shpreh se skuadra do të japë maksimumin për të marrë më të mirën: “Besoj që jemi të gjithë gati. Kemi pasur kohë që të punojmë bashkë. Jemi të gjithë gati si skuadër për të luajtur këtë ndeshje. Në skemën 3-5-2 unë e gjej veten më shumë në krah, por jam gati t’i bëj të gjitha pozicionet. E vendos trajneri dhe kudo që do të luajë do të jap maksimumin. Islanda është një skuadër shumë e fortë. Ka lojtarë shumë të mirë, që luajnë në skuadra të mira. Nuk duhen nënvlerësuar. Duhet të jemi të kujdesshëm në lëvizje. Do arrijmë të bëjmë diçka të mirë në fushë. Islanda nuk është si në Europianin e kaluar, ku tregoi që kishte shumë potencial. Na ka dhënë kurajo edhe trajneri. Me ardhjen e tij, ka ndryshuar klima e Kombëtares. Na ka bërë të besojmë që jemi më të fortë”, ka përfunduar kapiteni Hysaj.

Kombëtarja pas mbarimit të ndeshjes do të fluturojë menjëherë drejt Shqipërisë për tu grumbulluar në Kompleksin Tropikal, për të vijuar përgatitjet për ndeshjen e katërt zyrtare, ku do të luajmë me Moldavinë në Elbasan Arena në 11 Qershor.