Prag Franca / Trajneri Reja dhe kapiteni Mavraj në konferencë për shtyp - FSHF

Prag Franca / Trajneri Reja dhe kapiteni Mavraj në konferencë për shtyp

Trajneri kombëtares shqiptare, Edoardo Reja, dhe kapiteni Mërgim Mavraj, kanë dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për shtyp përpara ndeshjes me Moldavinë, që do të zhvillohet nesër në orën 20:45 në Stade de France.

Trajneri Reja përpara mediave u shpreh se kërkon një skuadër agresive dhe të jetë maksimalisht e përqendrruar. “I këshilloj djemtë të mos bëjnë gabime dhe t’i japin sa më pak hapësira Francës. Duhet të japim maksimumin dhe të mbyllim çdo hapësirë, pasi një gabim i vogël, mund të kushtojë shtrenjtë. Njëkohësisht duhet të jemi gati për të shfrytëzuar hapësirat që do të na lërë kundërshtari. Do të na duhet më shumë shpejtësi dhe agresivitet në markim. Franca ka shumë cilësi dhe Griezmann është një futbollist që shfrytëzon çdo lloj hapësira e mund të na vërë në vështirësi edhe nga hiçi. Duhet të rreshtohemi mirë, të jemi agresivë dhe t’i markojmë kundërshtarët në çdo cep të fushës. Deshamp? Deshamps është një mik, për të cilin unë kam shumë respekt. Ai nuk do të rrezikojë dhe nuk do t’i hedhë të gjithë lojtarët e tij në sulm, por do të kërkojë një ekuilibër taktik,. Ka në skuadër futbollistë shumë të mirë taktikisht, që zbresin shpejt në kundërsulm dhe dinë të shfrytëzojnë hapësirat sado të vogla. E njohim Francën dhe lojtarët e saj. Kanë një prezencë fizike të konsiderueshme, por edhe ne kemi lojtarë shtatlartë, që janë shumë të aftë në lojën në ajër. Ne do të tentojmë ta vëmë në vështirësi Francën edhe në rastet tona nga goditjet standard”.

Kapiteni Mavraj premtoi një ndeshje të luftuar dhe u shpreh se skuadra do kërkojë maksimumin. “E dimë të gjithë që këtu është një fushë shumë e vështirë, pavarësisht mungesave të Francës, që gjithsesi ka shumë futbollistë të një niveli të lartë. Do të jetë shumë e komplikuar, por ne kemi treguar se dimë t’u krijojmë vështirësi çdo lloj kundërshtarëve. Ne të gjithë e dimë se si mund t’u krijojmë telashe këtyre skuadrash. Duhet të luajmë të fokusuar, me sa më pak gabime dhe me vetëbesim, që të mund t’ua komplikojmë ndeshjen kundërshtarëve. Mbi të gjitha, besoj se jemi gati për të paktën një luftë të fortë sportive. Franca apo Islanda? Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, ku fitorja vlen 3 pikë për çdonjërën. Natyrisht që Islanda është një kundërshtar i nivelit tonë dhe kemi më shumë shanse, por nuk do të falim ndeshjen ndaj Francës. Kemi shumë lojtarë të rinj, që kanë një mundësi të luajnë një ndeshje të madhe dhe do provojmë të bëjmë më të mirën nesër. Ne që jemi këtu, jemi të gjithë në një formë të mirë, ndonëse në javët e para të kampionateve. Kushdo që të zbresë në fushë, në çdonjërin prej takimeve, do të bëjë më të mirën me siguri. Nuk mendoj se duhet të rrimë me mendjen te Islanda, pasi kemi një tjetër ndeshje ku fitorja vlen 3 pikë”.