POST-NORVEGJIA, TRAJNERI BËN ANALIZËN E MIQËSORES DHE GJENDJES SË SKUADRËS - FSHF

POST-NORVEGJIA, TRAJNERI BËN ANALIZËN E MIQËSORES DHE GJENDJES SË SKUADRËS

Sipas traditës tashmë të vendosur nga vetë mister Panucci, trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka bërë përmbledhjen pas miqësores me Norvegjinë dhe asaj që ai ka konstatuar në skuadër. Trajneri iu përgjigj interesit të mediave dhe pyetjeve të tyre teksa citoi: “E dinim që ishte një miqësore, ndaj dhe kryem disa eksperimente ku kishte shumë lojtarë të rinj. Mendoj që tani e deri në qershor do të kuptoj nëse ndonjë i ri mund të bëhet pjesë e Kombëtares. Më dha shumë mësime një humbje e tillë, se fitorja në Turqi. Nuk më pëlqen të humbas, shpresoj të jenë edhe lojtarët njëlloj si unë, që nuk fle pasi humb, dhe dje kam fjetur shumë pak. Në lidhje me skuadrën mund t’ju them që përgatitja fizike bëri diferencën e madhe. Edhe nëse do kishim qëndruar gjatë të luanim, sërish nuk mund të shënonim. Sa i përket futbollistëve që hodha në fushë, kam bindjen se Ramadani u paraqit mirë. Edhe Bare më pëlqeu kur u nervozua me kundërshtarët, të paktën njëri u nervozua.

Se dukej sikur pësuam golin dhe ishte njëlloj. Qaka ishte i emocionuar. Pastaj Lika shihet në stërvitje se është një lojtar që punon dhe e vlerësoj si një element që mund të jetë pjesë e grupit. Si do luajë kjo kombëtare? Eshtë një opsion edhe moduli 4-3-3. Por, unë kam idetë e mia dhe nuk kthehem mbrapa në këtë gjë. Mund të luajmë 4-3-3, do të shohim në vazhdim idetë. E dinim rrezikun, por po të ishte një eliminatore, nuk do të luanim kurrë kështu. Nuk dua të kërkoj kurrsesi justifikime. Fajin e marr përsipër unë. Por, kur futbollistë si Ajeti, Mavraj dhe Sadiku nuk luajnë, Roshi sapo ka filluar dhe nuk është në formën e Turqisë, atëherë situata është tërësisht e disfavorshme. Situata më shqetëson, sepse janë shumë lojtarë që nuk luajnë me ekipet e tyre. Ju siguroj që, po të ishin ndeshje zyrtare do të shikonit një Shqipëri krejt tjetër. Në fund të majit kemi edhe dy miqësore të tjera. Mendoj se lojtarët janë në fund të sezonit, por Kombëtarja është detyrim, dhe mbi të gjitha, maksimumi i krenarisë.

Nëse të gjithë do të paraqiten me kondicionin e Turqisë, ju garantoj që jemi një skuadër shumë e mire”,- deklaroi ndër shumë të tjera në daljen e tij publike, një ditë pas ndeshjes, trajneri i skuadrës kombëtare, Christian Panucci.

Ai largohet sot drejt Budapestit për të ndjekur kundërshtarët e ardhshëm në grupin e kompeticionit UEFA Nations League, pikërisht Skocinë në përballjen me Hungarinë. Kombëtarja shqiptare e futbollit, grumbullimin e radhës do ta ketë në datë 26 maj në Zvicër, ku do të përgatitet edhe për dy miqësoret e planifikuara, të cilat shumë shpejt do të zyrtarizohen në kanalet tona të komunikimit.