PËRFUNDON TURNEU I PËRFAQËSUESEVE RAJONALE, LEZHA E DURRËSI FITUESIT E U-13 DHE U-14 - FSHF

PËRFUNDON TURNEU I PËRFAQËSUESEVE RAJONALE, LEZHA E DURRËSI FITUESIT E U-13 DHE U-14

Ka përfunduar ditën e sotme turneu i përfaqësueseve rajonale me dy ndeshjet finale për moshat 13 dhe 14 vjeç të cilat u luajtën në “Elbasan Arena”.

Finalja e parë e ditës së sotme ishte ajo e grupmoshës së 13 vjeçarëve ndërmjet Lezhës dhe Durrësit. Lezhjanët arritën të triumfojnë me rezultatin 3-2, falë golave të Mihanës, Ajazit dhe Shytit. Për përfaqësuesen rajonale të Durrësit shënuan Neziri dhe Kuqi. (Fotografitë e U-13).

Durrësi dhe Tirana diskutuan finalen e U-14. Fitues i kësaj grupmoshe është shpallur Durrësi që ka mundur Tiranën vetëm pas goditjeve nga 11-metrat. Koha e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 1 me 1, me Arifin që shënoi për përfaqësuesen rajonale të Durrësit dhe autogoli i Bajramajt për Tiranën.

Nga pika e bardhë u treguan më të saktë durrsakët të cilët fituan në shifrat 4-3. (Fotografitë e U-14).

Në ceremoninë e organizuar në përfundim të takimit ishte Legjenda e Futbollit Shqiptar, Sulejman Demollari, ai që dorëzoi trofetë e kampionit për Lezhën dhe Durrësin.

Ditën e djeshme, në stadiumin Selman Stërmasi u luajt ndeshja finale e U-15, ndërmjet Durrësit dhe Lezhës, me këta të fundit që siguruan trofeun për këtë edicionin të këtij turneu.

Turneu i përfaqësueseve rajonale organizohet nga Federata Shqiptare të Futbollit dhe ka si qëllim ndjekjen nga afër të elementëve të spikatur kudo ku ata luajnë dhe për të mbajtur në monitorim procesin e rritjes së tyre. Stafet teknike të të gjitha ekipeve kombëtare kanë ndjekur me kujdes ndeshjet finale të moshës U-15, U-14 dhe U-13 që janë stërvitur gjatë të gjithë vitit nën drejtimin e stafeve teknike të cilët janë përzgjedhur nga Zyrat Rajonale të FSHF në bashkëpunim me Drejtorinë Teknike.