Përfaqësueset Rajonale rikthehen në fushë pas ndërprerjes 2 mujore - FSHF

Përfaqësueset Rajonale rikthehen në fushë pas ndërprerjes 2 mujore

Skuadrat përfaqësuese rajonale janë rikthyer në fushën e lojës për të zhvilluar seancat stërvitore me ekipet U-13, U-14 dhe U-15. Pas një ndalese dy mujore për shkak të pandemisë së Covid-19, ashtu siç është parashikuar në programin vjetor, ditën e hënë skuadrat në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Gjirokastër, Lezhë dhe Shkodër kanë zhvilluar stërvitjet e tyre nën drejtimin e stafeve teknike.

Për të ndjekur seancat stërvitore me lojtarët më të spikatur që janë përzgjedhur të jenë pjesë e skuadrave kanë qënë të pranishëm trajnerët e ekipeve kombëtare, të cilët janë shpërndarë sipas një plani të përcaktuar nga Sektori i Ekipeve Kombëtare. Trajnerët në fjalën e tyre për lojtarët kanë theksuar se në çdo seancë stërvitore ata janë në vëzhgim nga specialistët e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Risia e këtij viti është shtimi i përfaqësueseve rajonale në Lezhë dhe Gjirokastër, duke mbuluar në këtë mënyrë të gjithë territorin e Shqipërisë, me synimin për të pasur informacionin e duhur për çdo lojtar të talentuar kudo që ai luan.