Partizani ngre trofeun e kampionit në edicionin e 80 të Kategorisë Superiore - FSHF

Partizani ngre trofeun e kampionit në edicionin e 80 të Kategorisë Superiore

KF Partizani ka ngritur ditën e sotme trofeun e titullit kampion për edicionin e 80-të të Kategorisë Superiore, në sezonin futbollistik 2018-2019. Sot Partizani ka luajtur javën e parafundit të kampionatit kundër Kukësit, ku kampionët kanë barazuar me rezultatin 1-1. Rezultati në këtë ndeshje nuk ishte i rëndësishëm për të kuqtë, që e kishin siguruar titullin matematikisht dy javë më parë në derbin me Tiranën ku fituan me rezultatin 2-1.

Partizani arrin të marrë titullin kampion pas një mungese 26 vjeçare. Ky sezon ishte i gjithi nën diktatin e skuadrës së Skënder Gegës që ka kryesuar pothuajse gjatë të gjithë sezonit, duke arritur 20 fitore, 9 barazime dhe 6 humbje në 35 javë kampionat, me titullin që u siguruar matematikisht në javën e 32-të, pra 4 javë përpara mbylljes së sezonit. Trofeun dhe medaljet e titullit kampion kombëtar, skuadrës së Partizanit ia dorëzoi në stadiumin “Selman Stërmasi”, Presidenti i FSHF-së, z.Armand Duka sëbashku me Sekretarin e Përgjithshëm z. Ilir Shulku.

Sezoni futbollistik në Shqipëri mbyllet më datë 2 Qershor, me ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë ku do të përballet Kukësi me Tiranën, në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 19:00.