Nis të enjten turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-15, U-14 & U-13 - FSHF

Nis të enjten turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-15, U-14 & U-13

Starton nesër turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-15, U-14 dhe U-13. Qëllimi i këtij turneu është evidentimi i talenteve të reja që militojnë në kampionatet rajonale të FSHF-së dhe vëzhgimi i tyre nga stafi i ekipeve Kombëtare.

Në këtë turne do të marrin pjesë ekipet përfaqësuese rajonale të këtyre tre grupmoshave nga Tirana, Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani, Korça, Lezha dhe Gjirokastra.

Në bazë të rregullores së këtij aktiviteti, kohëzgjatja e çdo ndeshjeje do të jetë; për moshën U-13 me 2 pjesë nga 25 minuta; për moshën U-14 me 2 pjesë nga 30 minuta; për moshën U-15 me 2 pjesë nga 30 minuta.

Në rast barazimi nuk do të ketë kohë shtesë, por do të aplikohen goditjet e 11-metërshave për të përcaktuar fituesin e çiftit.

FSHF bën me dije se për çdo ndeshje do të ndiqet protokolli zyrtar sa i përket gjyqtarëve dhe stafeve shëndetësore. Ndeshjet do të zhvillohen në Fier dhe Tiranë (aneksi i stadiumit “Loni Papuçiu” dhe Qendra Ekipeve Kombëtare në Kamëz), ndërsa finalet për tre kategoritë e moshave do të luhen në stadiumet “Selman Stërmasi” dhe “Elbasan Arena”.