NIS KURSI I RADHËS “UEFA B”, TRAJNERËT E RINJ STARTOJNË PROCESIN MËSIMOR E PRAKTIK NË KAMËZ! - FSHF

NIS KURSI I RADHËS “UEFA B”, TRAJNERËT E RINJ STARTOJNË PROCESIN MËSIMOR E PRAKTIK NË KAMËZ!

Pas përfundimit dhe diplomimit për nivelin më të lartë të liçensës për trajnerë, atë të “UEFA Pro”, së fundmi Sektori i Edukimit dhe Liçensimit pranë FSHF-së ka nisur kursin e radhës për nivelin “UEFA B” me prezencën e shumë trajnerëve të rinj që frekuentojnë dhe do të ndjekin orët mësimore dhe praktike të këtij kursi. Si përherë, nën koordinimin e profesor Astrit Maçit dhe Alban Tafajit, por edhe lektorëve përkatës, nga data 18 qershor deri në 14 korrik, për një periudhë gati një mujore të gjithë kursantët do të ndjekin një program të detajuar teorik dhe praktik dhe në fund do ti nënshtrohen provimit të radhës. Spikasin në këtë kurs pesë femra që aspirojnë të marrin diplomën “UEFA B”. Vetëm një javë më parë, sektori përkatës mbylli procesin prej 12 raundesh për përgatitjen e trajnerëve të nivelit më të lartë të diplomës, atë të “UEFA Pro”, ku shumë emra të njohur të futbollit shqiptar u diplomuan me liçensën më të lartë të njohur nga UEFA. Në një shtrirje gjithëvjetore, kalendari i sektorit përkatës do të vijojë edhe me nivelet e tjera, teksa ka planifikuar që në muajt në vijim të realizojë edhe një tjetër kurs, atë për përgatitësit atletikë. Vlen të evidentohet fakti që në të gjitha kurset që zhvillon FSHF, nëpërmjet sektorit të edukimit ka një interes konstant të lartë të të trajnerëve që duan të ndjekin dhe të pajisen me liçensat përkatëse. Gjatë gjithë vitit 2018, Sektori i Edukimit ka realizuar deri më tani 4 kurse, dhe sapo ka nisur të pestin.